HomeOP EDKur ambicia personale merr peng shtetin/nga Pal Nikolli

Kur ambicia personale merr peng shtetin/nga Pal Nikolli

Advertismentspot_img

nga Pal Nikolli
Në jetën politike të një vendi ekziston gjithmonë një vijë e hollë midis shërbimit ndaj shtetit dhe identifikimit të shtetit me veten. Kjo vijë, sa herë që kalohet, e shndërron politikën nga një instrument të së mirës publike në një arenë të pasioneve personale. Dhe pikërisht në këtë pikë fillon drama e shoqërive të vogla politike: kur pushteti nuk shihet më si përgjegjësi, por si vazhdim i egos së individit.
Në demokraci, postet janë të përkohshme. Ato nuk janë pronë, nuk janë trashëgimi dhe as nuk janë shpërblim për sakrificat personale të dikujt. Ato janë funksione të deleguara nga qytetarët për një periudhë të caktuar kohe. Kur kjo kohë përfundon, ose kur rrethanat ndryshojnë, logjika e demokracisë kërkon një gjë të thjeshtë: pranimin e realitetit dhe vazhdimin e shërbimit ndaj shtetit në forma të tjera.
Historia politike e kombeve të konsoliduara është plot me shembuj njerëzish që, pasi kanë mbajtur poste të larta, janë larguar me qetësi, duke ruajtur dinjitetin dhe duke e lënë sistemin institucional të funksionojë pa trauma. Ata e kuptojnë se shteti është më i madh se ambicia personale.
Por në shoqëri ku kultura institucionale është ende e brishtë, shpesh ndodh e kundërta. Posti fillon të perceptohet si identitet personal. Karrigia e pushtetit nuk shihet më si një përgjegjësi e përkohshme, por si një vazhdim i vetes. Dhe kur kjo karrige rrezikon të humbet, reagimi nuk është gjithmonë racional. Shpesh ai bëhet emocional, impulsiv dhe ndonjëherë edhe destabilizues për sistemin politik.
Këtu lind një fenomen i vjetër sa vetë politika: prirja për ta lidhur fatin e vendit me fatin personal. Në këtë logjikë të rrezikshme krijohet një iluzion i fortë psikologjik: nëse unë largohem nga pushteti, edhe vendi humbet diçka thelbësore. Nëse unë nuk jam në qendër të sistemit, atëherë sistemi duhet të tronditet.
Ky është një iluzion i rrezikshëm. Shtetet nuk ndërtohen mbi individë të vetëm; ato ndërtohen mbi institucione, mbi rregulla dhe mbi kulturën e respektimit të këtyre rregullave. Kur institucionet fillojnë të përdoren si instrument për të zgjatur një ambicie personale, atëherë demokracia fillon të rrëshqasë drejt një forme të butë personalizimi të pushtetit.
Problemi nuk është vetëm juridik apo procedural. Ai është para së gjithash kulturor dhe psikologjik. Sepse në shumë shoqëri ekziston një marrëdhënie pothuaj emocionale me pushtetin. Ai shihet si triumfi i fundit personal, si një simbol prestigji dhe si një pozicion nga i cili nuk duhet të largohesh lehtë.
Në këtë mentalitet, dorëheqja shihet si humbje, ndërsa pranimi i rrethanave interpretohet si dobësi. Por në të vërtetë ndodh e kundërta. Në demokraci, forca e vërtetë politike nuk matet me kohëzgjatjen në pushtet, por me aftësinë për ta respektuar kufirin e pushtetit.
Ka një moment në karrierën e çdo lideri kur dinjiteti politik fitohet jo duke qëndruar, por duke u tërhequr me qetësi. Ky moment është prova më e madhe e pjekurisë demokratike.
Kur kjo pjekuri mungon, shoqëria përballet me një cikël të lodhshëm krizash politike: tension institucional dhe një ndjenjë të vazhdueshme pasigurie. Në vend që energjia kolektive të përqendrohet në zhvillimin ekonomik, në arsimin, në drejtësinë apo në mirëqenien e qytetarëve, ajo konsumohet në konflikte të panevojshme për pushtet.
Në fund, pyetja nuk është juridike dhe as procedurale. Pyetja është më e thellë: a është politika një mision për shtetin apo një betejë për veten?
Nëse ajo bëhet betejë për veten, atëherë çdo humbje personale do të shndërrohet në krizë kombëtare. Por nëse ajo mbetet një mision publik, atëherë edhe largimi nga posti mund të jetë një akt i madh shërbimi ndaj vendit.
Demokracitë e qëndrueshme ndërtohen pikërisht mbi këtë kulturë: mbi njerëz që e kuptojnë se pushteti është kalimtar, ndërsa shteti është i përhershëm.
Dhe ndoshta prova më e vështirë e një politikani nuk është si arrin në pushtet, por si di të largohet prej tij.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular