Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, e ka cilësuar si “hap prapa” dështimin e Kuvendit të Kosovës për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit.
“Në vend të stabilitetit, vendi përballet me pasiguri të re politike. Vërtet zhgënjyese”, shkroi Terras në një postim në rrjetin social X, pasi Kuvendi nuk arriti ta përmbyllë procesin e zgjedhjes së presidentit.
Reagimi i tij vjen pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se ka nxjerrë dekret për shpërndarjen e Kuvendit, duke argumentuar se deputetët dështuan ta përmbushin detyrimin kushtetues për zgjedhjen e presidentit brenda afatit.

Sipas Osmanit, 5 marsi ishte afati i fundit kushtetues që Kuvendi ta zgjidhte presidentin e ri, 30 ditë para përfundimit të mandatit të saj më 4 prill. Ajo tha se përpjekjet e dështuara për zgjedhjen e presidentit nuk ishin as të rastësishme dhe as të pamenduara, por “të kalkuluara”.
“Është fatkeqësi e madhe që ata nuk zgjodhën interesin e Kosovës”, tha Osmani, duke shtuar se përmes dekretit po kryen detyrimin kushtetues.
Seanca e fundit e Kuvendit për zgjedhjen e presidentit, më 5 mars, u ndërpre në mungesë kuorumi, pasi në sallë munguan deputetët e partive opozitare. Në garë për këtë post ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha nga Lëvizja Vetëvendosje.
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e ka kundërshtuar dekretin e Osmanit, duke e cilësuar atë si “akt të paprecedent” që bie ndesh me rendin kushtetues. Zyrtarët e saj kanë thënë se vendi ka afat 60-ditor për ta zgjedhur presidentin dhe kanë dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërkohë, Osmani ka zhvilluar takim me krerët e partive politike, ku nuk morën pjesë krerët e LVV-së, për shpalljen e zgjedhjeve të reja të parakohshme./Marrë nga REL
Kosova në ngërç institucional, BE: Keqardhje për zhvillimet e fundit
Kosova është futur në një ngërç institucional pas dështimit për zgjedhjen e presidentit të ri dhe vendimit të presidentes Vjosa Osmani për ta shpërndarë Kuvendin. Zhvillimet e fundit kanë shkaktuar përplasje të forta politike, ndërsa Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje për situatën dhe pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Një zëdhënës i BE-së i tha REL-it se blloku evropian i sheh me shqetësim zhvillimet politike në Kosovë dhe se tani pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, lidhur me dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit.
Kryeministri Albin Kurti në një dalje publike sot në 6 mars e quajti dekretin e Osmanit “jokushtetues”, duke argumentuar se Kuvendi nuk duhej të shpërndahej në këtë fazë të procesit të zgjedhjes së presidentit. Sipas tij, Kushtetuta parasheh shpërndarjen e Kuvendit vetëm pasi të dështojnë tre raundet e votimit për presidentin ose nëse brenda 60 ditëve nga nisja e procedures, nuk arrihet zgjedhja e tij.
Kurti theksoi se në seancën e 5 marsit nuk u zhvillua as raundi i parë i votimit, pasi mungoi kuorumi. Ai shtoi se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit sapo ka filluar dhe përfundon më 5 maj. Dekreti i presidentes tashmë është dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese nga Vetëvendosje.
Ndërkohë, juristi Durim Berisha argumenton se presidentja nuk kishte të drejtë ta shpërndante Kuvendin. Sipas tij, nëse brenda 60 ditëve nuk zgjidhet presidenti, Kuvendi konsiderohet i shpërndarë automatikisht dhe presidenti vetëm cakton datën e zgjedhjeve.
Nga ana tjetër, shefja e stafit të presidentes, Learta Hollaj, e ka mbrojtur vendimin, duke thënë se Osmani ka zbatuar një detyrim kushtetues dhe se institucioni i Presidencës do të respektojë çdo interpretim që do të japë Gjykata Kushtetuese. Edhe Instituti Demokratik i Kosovës ka paralajmëruar se vendi rrezikon të futet në një situatë të paqartësisë kushtetuese dhe i ka bërë thirrje Gjykatës Kushtetuese të trajtojë me urgjencë këtë çështje.
Sipas Kurtit, shpërndarja e Kuvendit ka bllokuar edhe ratifikimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare në vlerë rreth 121 milionë euro me Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Evropiane për Investime dhe Fondi Saudit për Zhvillim për projekte energjetike dhe infrastrukturore në Kosovë.







