HomeOP EDNjë Dekadë Pas Reformës Territoriale: A është vërtet forcuar pushteti vendor? nga...

Një Dekadë Pas Reformës Territoriale: A është vërtet forcuar pushteti vendor? nga Agron Haxhimali

Advertismentspot_img

nga Agron Haxhimali
Reforma territoriale administrative e ndërmarrë në Shqipëri në vitin 2014, përmes ligjit nr. 115/2014 “Për ndarjen territoriale-administrativo të njësive të qeverisjes vendore”, përfaqëson një nga ndërhyrjet më të rëndësishme strukturore në organizimin e shtetit shqiptar në periudhën post-tranzicion. Ajo reduktoi numrin e njësive të qeverisjes vendore nga 373 në 61 bashki, me synimin për të rritur eficiencën administrative, për të forcuar kapacitetet institucionale dhe për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve publike.Megjithatë, një dekadë pas zbatimit të saj, pyetja thelbësore mbetet: a ka prodhuar kjo reformë një pushtet vendor realisht më përfaqësues,autonom, më të fortë dhe më efektiv?
Reforma nuk është teknike-është politike
Administrata vendore nuk është një çështje thjesht organizative apo teknike. Ajo përcakton mënyrën se si shpërndahet pushteti politik, si përfaqësohen qytetarët në nivel lokal dhe si ofrohen shërbimet publike. Në këtë kuptim, reforma e pushtetit vendor është një element thelbësor i funksionimit të demokracisë dhe pjesë shumë e rëndësishme e arkitekturës së shtetit.
Raportet e vazhdueshme të Komisioni Evropian por jo vetëm,për Shqipërinë kanë theksuar se, decentralizimi fiskal dhe funksional mbetet i paplotë. Njësitë vendore vazhdojnë të kenë autonomi të kufizuar financiare dhe mbeten në një masë të konsiderueshme të varura nga transfertat buxhetore nga qeveria qendrore,pabarazi mes zonava urbane dhe atyre rurale etj.

Në të njëjtën linjë kanë nënvizuar se autonomia vendore duhet të garantohet jo vetëm në nivel formal, përmes legjislacionit, por edhe në praktikë, përmes kompetencave reale, burimeve financiare të mjaftueshme dhe mekanizmave efektivë të mbrojtjes institucionale.
Kjo do të thotë se reforma e pushtetit vendor nuk mund të trajtohet si një operacion teknik i riorganizimit territorial. Ajo është një reformë politike në thelb, sepse lidhet drejtpërdrejt me balancën e pushtetit brenda shtetit dhe me cilësinë e demokracisë.
Zmadhimi i juridiksionit territorial nuk prodhoi automatikisht konsolidim institucional
Reforma e vitit 2014 u frymëzua nga modele evropiane të konsolidimit territorial, të cilat synojnë krijimin e njësive më të mëdha dhe më të afta për të përmbushur funksionet e tyre. Megjithatë, në praktikë, dimensioni territorial nuk prodhoi automatikisht konsolidim institucional dhe ekonomi shkalle të qëndrueshme.
Shqipëria karakterizohet nga pabarazi të theksuara territoriale, nga dobësi të bazës ekonomike lokale dhe nga lëvizje të forta demografike, veçanërisht zbrazja e zonave rurale. Si rezultat, shumë bashki, sidomos ato me potencial të kufizuar ekonomik, vazhdojnë të përballen me vështirësi strukturore dhe mbeten të varura nga financimi qendror.
Raportet e vlerësimit kanë theksuar vazhdimisht nevojën për forcimin e decentralizimit fiskal dhe për rritjen e autonomisë reale të pushtetit vendor, si kusht për një qeverisje më efektive dhe më të qëndrueshme.
Autonomia vendore: midis parimit dhe realitetit
Shqipëria ka ndërtuar një kornizë ligjore që njeh dhe garanton parimin e autonomisë vendore. Kushtetuta, ligji “Për vetëqeverisjen vendore” dhe ratifikimi i Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore krijojnë bazën juridike për një sistem të decentralizuar. Megjithatë, në praktikë, autonomia vendore mbetet e kufizuar. Vendimmarrja për investimet kapitale është shpesh e centralizuar, kompetencat ndërmjet niveleve të qeverisjes nuk janë gjithmonë të ndara qartë, dhe njësitë vendore mbeten financiarisht të varura nga qeveria qendrore.
Ky hendek midis autonomisë formale dhe autonomisë reale përbën një nga sfidat kryesore të reformësse re.

Kapacitetet institucionale si themel i decentralizimit
Një tjetër objektiv i reformës ishte krijimi i bashkive me kapacitete më të mëdha administrative dhe menaxheriale. Megjithatë, shumë njësi vendore vazhdojnë të përballen me mungesë të stafit të kualifikuar, kapacitete të kufizuara për planifikim strategjik apo aftësi për të konkuruar për projekte të mëdha nga fondet ndërkombetare, dhe sfida në menaxhimin financiar.

Raportet e vlerësimit dhe të performancës kanë theksuar nevojën për profesionalizimin e administratës vendore dhe për ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme institucionale. Investimi në burime njerëzore, digjitalizim, sisteme financiare dhe planifikim territorial është thelbësor për funksionimin efektiv të pushtetit vendor.Pa këto elemente, konsolidimi territorial mbetet një reformë strukturore pa efekt të plotë funksional.

Nevoja për një dialog kombëtar të strukturuar dhe gjithëpërfshirës
Një nga dobësitë kryesore të reformës së vitit 2014 ishte mungesa e një dialogu gjithëpërfshirës dhe e një procesi të gjerë konsultimi me aktorët vendorë.Sot, pas një dekade përvoje praktike, është thelbësore që çdo rishikim apo thellim i reformës të bazohet në një proces të strukturuar konsultimi kombëtar, ku të përfshihen në mënyrë formale dhe institucionale:61 kryetarët e bashkive,61 këshillat bashkiakë,rreth 320 administratorët e njësive administrative,dhe afro 3000 kryetarët e fshatrave.
Këta përfaqësues janë aktorët që përballen çdo ditë me realitetin e zbatimit të reformës dhe posedojnë njohuri të drejtpërdrejta mbi sfidat administrative, financiare dhe institucionale. Për këtë arsye, është e domosdoshme që ata të shprehen formalisht përmes një procesi të strukturuar, duke paraqitur mendimet, opinionet dhe rekomandimet e tyre mbi funksionimin aktual të sistemit dhe nevojat për përmirësim, territoriale dhe administrative.Në këtë proces që sapo është hapur duhet të mos humbasin kohë për të kontribuar të gjithë aktorë akademik apo institucione.Një dialog i tillë do të siguronte që çdo reformë e ardhshme të mos jetë thjesht një ndërhyrje nga lart-poshtë, por një proces i bazuar në përvojën reale të qeverisjes vendore dhe në nevojat konkrete të komuniteteve.

Drejt Reformës Territoriale 2.0: Mundësitë dhe premisat pozitive sot.
Reforma administrativo-territoriale e vitit 2014 përfaqësoi një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të strukturës së qeverisjes vendore në Shqipëri. Megjithatë, ajo nuk përbën fundin e procesit të as të decentralizimit as të konsolidimit territorial.Bashkëpunimi mes mazhorancës dhe opozitës reflekton aktualisht një gatishmëri më të madhe për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme dhe të dobishme për qytetarët.
Sfida kryesore sot nuk është më madhësia e bashkive, por cilësia e autonomisë së tyre, kapacitetet institucionale dhe aftësia për të vepruar si një nivel real dhe efektiv i qeverisjes.

Për të ndërtuar një sistem funksional dhe demokratik të qeverisjes vendore, duhet të përqendrohemi në:forcimin real të decentralizimit fiskal, funksional,diferencial-assimetrik,garantimin efektiv të autonomisë vendore,ndërtimin sistematik të kapaciteteve institucionale prane çdo qyetari dhe territori,zhvillimin e një dialogu dhe mbështetje të vazhdueshém në të gjitha fazat e reformës.Vetëm përmes një qasjeje të tillë, pushteti vendor mund të shndërrohet në një shtyllë reale të demokracisë funksionale, të zhvillimit territorial të qëndrueshëm dhe të integrimit evropian të Shqipërisë.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular