Pas dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani do të nisë këtë të premte në orën 13:00 konsultimet me përfaqësuesit e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Sipas Ligjit, zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditësh, por jo më herët se 30 ditë.
Sjellim ndërmend se herët mëngjesin e sotëm, presidentja Osmani nxori një dekret për shpërndarje të Kuvendit, pasi ky institucion dështoi të zgjidhte presidentin e ri deri më 5 mars, i cili ishte afati i fundit për ta bërë këtë.
“Jam këtu para jush sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën që ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja. Kjo situatë ka qenë plotësisht e evitueshme. Është fatkeqësi e madhe për këtë shtet që ata nuk zgjodhën interesin e Republikës së Kosovës. Andaj sot, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, kam nxjerrë dekretin për shpërndarje të Kuvendit dhe nëpërmjet këtij dekreti po kryej detyrimin kushtetues i cili është i përcaktuar qartë”, u shpreh Osmani në konferencën për media.
Ky dekret i presidentes është duke u interpretuar në mënyra të ndryshme nga palët
Kur mund të mbahen zgjedhjet?
Ndonëse mbetet e paqartë se kush ka të drejtë për proceset që e presin Kosovën në ditët në vazhdim, eksperti i çështjeve politike Ilir Deda ka përmendur datat 12,19 dhe 26 prill si mundësi për zgjedhje të reja.
Presidentja Osmani e ka shpërndarë Kuvendin në pamundësi të institucionit për ta zgjedhur presidentin e ri, dhe ka thënë se datën e zgjedhjeve do ta caktojë pas konsultimeve me parti politike.
Lëvizja Vetëvendosje, në anën tjetër, beson që ka vepruar në përputhje me Kushtetutën në këtë drejtim.
REL shkruan se disa njohës të çështjeve të drejtësisë besojnë se dekreti i Osmanit është jokushtetues, dhe e interpretojnë ndryshe një afat 60-ditor për zgjedhjen e presidentit.
Osmani ka thënë se ndonëse procedura për zgjedhjen e presidentit mund të fillojë 60 ditë para afatit të fundit, ajo nuk mund të shtyhet, por patjetër duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë të përfundimit të mandatit aktual, që në këtë rast do të thotë data 5 mars.
Të tjerë besojnë se afati 60-ditor rrjedh prej ditës së nisjes së procedurës për zgjedhje të presidentit.
Mbetet të shihet nëse dekreti do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.







