Mentor Çuku është emëruar zëvendësdrejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), pas përfundimit të një procesi konkurrues për përzgjedhjen e kandidatit për këtë detyrë.
Emërimi është bërë nga drejtori i BKH-së me pëlqimin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në zbatim të ligjit nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”. Sipas këtij ligji, mandati i zëvendësdrejtorit të BKH-së është katërvjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
Për këtë pozicion aplikuan 11 kandidatë që plotësonin kriteret ligjore dhe profesionale të përcaktuara për funksionin. Sipas njoftimit zyrtar, kandidatët u vlerësuan për nivelin e përgatitjes profesionale, përvojën në hetime dhe aftësitë drejtuese.
Mentor Çuku është hetues në BKH dhe ka një përvojë të gjatë në hetimin e veprave penale që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar dhe krimet e rënda. Gjatë karrierës së tij është vlerësuar për integritet profesional, aftësi drejtuese dhe përkushtim në ushtrimin e detyrës.
Byroja Kombëtare e Hetimit shprehu gjithashtu vlerësim për të gjithë kandidatët që morën pjesë në procesin e përzgjedhjes, duke theksuar angazhimin e institucionit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Mentor Çuku është gjithashtu vëllai i komisarit të ndjerë të policisë, Artan Çuku, i cili u vra në një atentat në vitin 2017 në Tiranë.







