Struktura e Posaçme Antikorrupsion ka dërguar në Kuvend raportin e saj vjetor për vitin e shkuar, ku bie në sy fakti se sfidë për Prokurorinë e Posaçme mbeten korrupsioni në nivele të larta, krimi i organizuar, si dhe pastrimi i parave, kryesisht në ndërtim.
Në raport theksohet se gjatë vitit 2025, vlera totale e aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara është rreth 45.4 milionë euro, nga të cilat 43.49 milionë euro është vlera e aseteve të sekuestruara dhe rreth 1.91 milionë euro përfaqësojnë vlerën e aseteve të konfiskuara.
Lidhur me çështjet që përfshijnë zyrtarët e lartë, vlera e pasurive të sekuestruara është rreth 1.1 milionë euro, ndërkohë që vlera e pasurive të konfiskuara është rreth 100 mijë euro.
Raporti thekson se trafiku i narkotikëve, sidomos i kokainës dhe i kanabisit drejt vendeve të Bashkimit Evropian, mbetet aktiviteti më fitimprurës për grupet kriminale.
Sipas raportit, pastrimi i parave kryhet kryesisht përmes investimeve në ndërtim, në pasuri të paluajtshme dhe në biznese të ndryshme.
Për sa i përket korrupsionit në administratën publike dhe në pushtetin vendor, theksohet se një pjesë e hetimeve ka përfshirë zyrtarë të lartë, drejtues institucionesh dhe përfaqësues të qeverisjes vendore, kryesisht për çështje që lidhen me tenderët publikë, me përdorimin e fondeve dhe me dhënien e lejeve të ndërtimit.
Gjatë vitit të shkuar, SPAK-u ka hetuar 871 procedime penale, nga të cilat 294 janë regjistruar gjatë vitit 2025, 39 janë bashkuar dhe 577 janë të mbartura nga viti 2024. Gjithashtu, 216 çështje/hetime kanë përfunduar përgjatë vitit të shkuar.







