HomeOP ED“Manifesti” Rama-Vuçiç “minon” integrimin europian

“Manifesti” Rama-Vuçiç “minon” integrimin europian

Advertismentspot_img

TRITAN SHEHU

Duke lexuar atë artikull të paraqitur si një “manifest” i përbashkët nga autorët dhe sponsorët, nuk mund të mos shqetësohesh. Por edhe kupton krizën e thellë të regjimeve autokratike të rajonit tonë, me “aspiratat” e tyre larg nga vlerat e principet europiane e perëndimore. Pa dyshim shëmbëlltyra më e qartë e këtyre regjimeve është ai i Tiranës me atë të Beogradit. Për këtë arsye janë të kuptueshme edhe shqetësimet e tyre të përbashkëta për mbijetese, bashkëpunimi dhe ndërthurja e tyre për t’iu kundërvënë të gjitha iniciativave, të cilat do të bënin të detyrueshme përmbushjen e standardeve demokratike e politike, të domosdoshme për të qenë pjesë e familjes europiane. Prandaj të dy bashkautorët kërkojnë të fusin nga “dritarja” në atë familje europiane qeverisjet e tyre anadollake, ndërkohë që e kuptojnë se hyrja normale nga “porta” do të ishte e pamundur pa realizuar thelbin e parimeve europiane.

Por kjo për ta është e papranueshme, sepse do të kërkonte fundin e sundimit autokratik, rivendosjen e vlerave e demokracisë, fundin e regjimit. Për këtë arsye kalojnë në “akrobaci”, që tregojnë krizën e thellë të këtyre regjimeve, veçanërisht kjo në marrëdhëniet me Brukselin. Si i tillë artikulli i përbashkët RamaVuçiç godet interesat e shqiptarëve e rajonit, të cilat lidhen me aspiratën e integrimit europian në bazë të përmbushjes së standardeve thelbësore për çdo demokraci perëndimore. Aspiratë kjo krejt ndryshe nga kolonat e atij artikulli, që kërkojnë të “legalizojnë” regjimet lindore edhe përballë demokracive perëndimore, t’i bëjë ato të pranueshme si pjesë midis tyre me disa retushime sekondare. E pamundur kjo, sepse Europa e Bashkuar me regjimet janë diametralisht të ndryshme në themelet politike. Si të tilla, ata nuk mund të bashkëjetojnë. Pikërisht në këtë sens ky artikull pranon e stimulon edhe konceptin e diskriminimit ndaj shqiptarëve, brenda vetë BE, kur “lutet” për një lloj integrimi të dorës së dytë, të lidhur vetëm me “tregun ekonomik dhe lëvizjen Shengen”. Ndërsa shqiptarët duhet të punojnë e impenjohen për t’u bërë pjesë e Europës konform rregullave e procedurave për aderim, standardeve politike e të nivelit të demokracisë që ai bashkim ka, apo do të implementojë nesër, nqs ato do të ndryshojnë. Është iluzive dhe diskriminuese ndaj vendit tënd të kërkosh rregulla “speciale” inferiore për “antarësime” të cunguara, të stigmatizosh kështu popullin tënd si “delja e zeze” e Rajonit, mjafton që regjimet në Tiranë e Beograd të ruajnë sundimin e tyre politik.

Të “drejtat e cunguara” në atë bashkim, që përdoren si argument anëtarësimi nga bashkautorët përkthehen qartësisht në standarde të cunguara, në vlera të cunguara, në demokraci të cunguar për popujt tanë, që kërkohen të pranohen nga BE, si një “lëshim” për regjimet e tyre! Nga ana tjetër, ky është një botim në dukje i “çuditshëm”. Pikërisht kur Rilindja trumbeton hapjen e gjithë kapitujve dhe vendos edhe “afatet e afërta” kohore të mbylljes së tyre me anëtarësimin në BE të Shqipërisë, kërkohet një pranim “sui generis”, i pa influencuar nga mosrealizimi i standardeve e vlerave të domosdoshme. Pra, ai dëshmon kështu falsitetin e këtyre deklaratave, nëpërmjet rreshtave lexon të vërtetën, duke u bërë evidente distanca e madhe që aktualisht na ndan nga BE i aspiruar. Dhe kjo distancë, që në vend të shkurtimit të saj progresiv, po zmadhohet e vështirësohet jo për shkak të reformave të mundshme brenda BE, por për largim të Shqipërisë nga realizimi i standardeve të domosdoshme europiane, keqësimit të gjendjes këtu përballe korrupsionit, krimit, forcimit të konceptit parti-shtet, deformimit të demokracisë, lirive, të drejtave, vlerave perëndimore etj., etj.. Prandaj në atë artikull tentohet të goditet fort integrimi i vërtetë europian i bazuar mbi vlerat e tij.

BE është bashkimi më madhështor i krijuar pa luftë në historinë e njerëzimit, pikërisht mbi këto parime e standarde, është një bashkim së pari politik, demokracie, të drejtash, lirish. Çdo tentativë për ta “thjeshtësuar” atë në një “treg ekonomik e lëvizje Shengen”, që është dhe leitmotivi i artikullit, kërkon ta zhvlerësojë, ta kthejë në një “gjysma gjel” pothuajse pa përmbajtje. Kjo mund të jetë e preferueshme për Serbinë, por jo për Shqipërinë, shqiptarët e shumicën e Rajonit tonë, ashtu siç besoj është dhe do të mbetet e papranueshme dhe e pa ndryshueshme për BE. Në fakt, këtu kemi të bëjmë me një tentativë iluzive të të dyja regjimeve, që në agoninë e tyre kërkojnë të shpëtojnë sundimin duke u kapur mbas “fijes së barit”. Por jo vetëm kaq. Autorësia e përbashkët Rama-Vuçiç, vendosja në një plan ndaj BE dhe më gjerë e Shqipërisë dhe shqiptarëve me Serbinë, e aspiratave tona, është pa dyshim një lëvizje e rrezikshme, ndesh më të vërtetën historike, vizionet tona kombëtare, me realitetin aktual.

Shqipëria e shqiptarët janë si nata me ditën ndaj aspiratës europiane me Serbinë. Për ne, integrimi europian, mbas anëtarësimit në NATO, përbën objektivin tonë madhor historik. Për Serbinë së paku për dekada jo. Vështrimi i saj është drejt Lindjes e Rusisë. Ajo ka zgjedhur të jetë pjesë e Traktatit EuroAsian të Rusisë me të gjithë implikimet e tij. Një organizëm, ai i krijuar si kundër peshë i BE, antagonist me atë. Të vendosësh në të njëjtën “karrocë” integruese apolitike Shqipërinë me Serbinë, do të thotë që ne të humbim të vetmin avantazh për atë proces, motorin tonë më të fuqishëm për drejt Europës, atë të aspiratës politike, të idealit europian, të “yllit tonë polar”, që për ne është Brukseli. Shumë larg ky realitet me vektorin e aspiratës e lidhjeve plurifaktoriale serbe. Rama e provoi pak vite më parë të lidhte Shqipërinë me atë traktat EuroAsian nëpërmjet projektit serb të “Ballkanit të hapur”.

Dështoi e sot ai projekt është në “arkivol”, por jo i “varrosur” siç duket. Dalja tashmë së bashku me Vuçiç me këto teza të rrezikshme për shqiptarët e Rajonin të atij artikulli, tingëllon si një tentativë “ringjallje” e projektit serb të “Ballkanit të hapur”. Sepse këto teza në ato linja kërkojnë të krijojnë direkt apo indirekt në Rajonin tonë një hapësirë të ndërmjetme LindjePerëndim, edhe për faktin e zhveshjes së lidhjeve me BE nga nocionet politike, të demokracisë, pa standarde të tilla. Jam i bindur se dhe Rusia do të pranonte një lidhje të tille, e cila në fund të fundit do të cungonte e do të dëmtonte rëndë BE në rolin e misionin e saj nqs., do të pranohej. Por mbi të gjitha do të krijonte dëme të pallogaritshme për ne shqiptarët e shumicën e popujve të Rajonit. Këto teza janë në sintoni me tezat e vjetra antishqiptare, që propagandojnë se Shqipëria nuk është as Lindje e as Perëndim, gjoja është një “urë” midis tyre. Kur në realitet ne jemi në të gjitha aspektet, historinë, afinitetin, vetëm pjesë integrale e Perëndimit, Europës. Kjo që prej ilirëve, Skënderbeut e deri tek lëvizja jonë demokratike, që përmbysi diktaturën komunisto-lindore. Historia e ekzistenca jonë si komb është e lidhur dhe garantuar vetëm duke qenë tërësisht pjesë integrale e Perëndimit, e familjes europiane. Përveç kësaj, ky artikull është jashtë realitetit e interesave të shqiptarëve e rajonit edhe në një kënd vështrim tjetër. Në rreshtat e tij kërkohet të “shplahet”, Serbia nga krimet e saj kundër njerëzimit, gjenocidin akoma të pa dënuar prej saj, duke e vendosur në një plan ndaj të ardhmes së Rajonit me Shqipërinë, shqiptarët e popujt e tjerë që pësuan krimet millosheviciane.

Ky është një deformim i thellë i realitetit e perspektivës. Sepse vendosja e shenjës së barazisë midis Serbisë, që prodhoi krime kundër njerëzimit, gjenocid në Kosovë, Bosnje, Kroaci e Rajon me viktimat, është e papranueshme. Aq më shumë në një kohë kur Serbia jo vetëm nuk distancohet e as pranon ato krime, por përkundrazi kërkon të paraqesë kokë poshtë të vërtetën. Një paraqitje e tillë e përbashkët Rama-Vuçiç jep reperkusione negative e shtyn në shpërndarjen e deformimeve historike. Pa dyshim, kjo influencon negativisht edhe në ecurinë e atij procesi farsë në Hagë ndaj liderëve të UÇK. Një artikull i tillë së paku nuk mund të shkruhej kurrë veçanërisht në këto momente “gjykimi”, që kërkon të përmbysë historinë në atë gjykate kosovaro-ndërkombëtare. Dhe në fund do të dëshiroja të evidentoja një “rastësi” të dukshme. Kuvendi i ynë pak javë më parë miratoi një deklaratë të rëndësishme për gjykimin larg të vërtetës, të drejtuesve të UCK në Hagë. Në atë dokument u vendosën disa elemente, që Rilindja nuk lejonte të vendoseshin për vite në një deklaratë a rezolute parlamentare, të kërkuara nga opozita:

– Njohja e dënimi i krimeve kundër njerëzimit, përcaktimi i gjenocidit të kryer nga makina ushtarake serbe ndaj Kosovës në fund të viteve ‘90-të. Si dhe kërkesa e Kuvendit tonë ndaj Qeverisë së Shqipërisë për të asistuar atë të Kosovës në denoncimin ndërkombëtar të këtyre krimeve. Ky bashkëartikull Rama-Vuçiç tingëllon edhe si një tërheqje me përulje e maxhorancës përpara Vuçiç, nga ato që me të drejtë, megjithëse me vonesë, u vendosën në atë deklaratë të përbashkët të Kuvendit të Shqipërisë.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular