Shqipëria është ende larg objektivave të mijëvjeçarit të vëna nga Kombet e Bashkuara për të përmirësuar jetën sociale dhe ekonomike të qytetarëve të saj, të njohura si “Leave No One Behind – Phase II”.
Programi i OKB-së në vendin tonë, PNUD, publikoi së fundmi një analizë për arritjet e Shqipërisë, në të cilën u vu në dukje se shumë nga objektivat strategjikë mbeten ende të parealizuara plotësisht. Përparimi është i dukshëm në kuadrin ligjor dhe institucional, por hendeku në financim, mbulim territorial dhe barazi sociale vijon të jetë i theksuar.
Shqipëria ka hedhur hapa të rëndësishëm në reformimin e sistemit social dhe në harmonizimin me standardet europiane, por mbetet larg përmbushjes së plotë të objektivave për barazi reale, mbulim universal dhe financim adekuat. Progresi institucional është i dukshëm, por sfida kryesore mbetet përkthimi i reformave në rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme për qytetarët më vulnerabël.
Varfëria në rënie, por jo për të gjithë
Norma e popullsisë në rrezik varfërie ka rënë nga 22% në vitin 2021 në 19.2% në vitin 2024. Megjithatë, kjo rënie nuk ka qenë e barabartë. Fëmijët mbeten grupi më i prekur, me një normë varfërie prej 26.6%, ndërsa gratë vijojnë të kenë një rrezik më të lartë sesa burrat.
Më problematik është fakti se 40.5% e popullsisë mbetet në rrezik varfërie ose përjashtimi social – gati dy herë më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian. Për më tepër, mungesa e një standardi zyrtar minimal jetese e bën të vështirë matjen reale të efektit të ndihmës ekonomike dhe të politikave të transferimit financiar.
Mbrojtja sociale shumë larg standardit të BE-së
Shpenzimet për mbrojtjen sociale në Shqipëri mbeten rreth 9.5–9.6% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, një nivel që konsiderohet ndër më të ulëtit në Europë. Mesatarja e BE-së arrin në rreth 27% të PBB-së.
Zgjerimi i hartës së shërbimeve sociale shihet si arritje, por mbulimi mbetet thellësisht i pabarabartë, sipas raportit. Në 64% të bashkive, më pak se 10% e nevojave për shërbime sociale janë të mbuluara. Vetëm gjashtë bashki arrijnë të plotësojnë më shumë se 25% të kërkesës për shërbime sociale.
Sistemi elektronik i menaxhimit të informacionit është instaluar në të gjitha bashkitë, por përdorimi i tij mbetet i kufizuar. Në disa zona mungojnë strukturat funksionale për vlerësimin dhe referimin e rasteve, duke kufizuar efikasitetin e ndërhyrjes.
Papunësia e të rinjve e lartë
Ndërkohë që papunësia e përgjithshme ka rënë, papunësia e të rinjve mbetet në nivele të larta, rreth 22.8%. Një në pesë të rinj është jashtë punësimit, arsimit apo trajnimit. Gratë vijojnë të kenë një pjesëmarrje më të ulët në tregun e punës, me një hendek prej mbi 12 pikë përqindje krahasuar me burrat.
Personat me aftësi të kufizuara, komunitetet rome dhe egjiptiane përballen me barriera të shumëfishta, ndërsa informaliteti i lartë kufizon sigurinë sociale dhe aksesin në mbrojtje shëndetësore.
Arsimi gjithëpërfshirës, por cilësia mbetet sfidë
PNUD vë në dukje se shkalla e përfshirjes së nxënësve me nevoja të veçanta në klasa të zakonshme ka arritur në 92%, por diferencat në arritjet arsimore mbeten të thella. Vetëm 31.9% e personave me aftësi të kufizuara mbi 15 vjeç kanë përfunduar arsimin e mesëm ose të lartë, krahasuar me 56.6% të popullsisë pa aftësi të kufizuara. Rezultatet e testit PISA 2022 kanë treguar rënie të performancës, ndërsa shpenzimet për arsim mbeten rreth 2.6% e PBB-së, shumë më poshtë se mesatarja europiane prej 4.6%.
Shëndetësia, me mbulim të pjesshëm
Edhe në objektivat për shëndetësinë nuk ka progres. Shpenzimet për shëndetësi qëndrojnë rreth 2.9% të PBB-së. Indeksi i mbulimit universal shëndetësor është 62, krahasuar me mesataren e BE-së prej 80. Migrimi i personelit shëndetësor ka krijuar boshllëqe, veçanërisht jashtë qendrave urbane, vë në dukje PNUD.
Synimi kryesor i OKB-së aktualisht udhëhiqet nga Agjenda 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, e cila ka afat final vitin 2030 me realizimin e 17 Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm . Në themel të agjendës janë zhdukja e varfërisë ekstreme (njerëzit që jetojnë me më pak se 2.15 USD në ditë). Arritja e “Zero Uri” dhe sigurimi i arsimit cilësor për çdo fëmijë dhe Sigurimi i aksesit në ujë të pastër dhe energji të përballueshme për të gjithë./ Monitor







