Sistemi i brendshëm i Kuvendit të Shqipërisë dyshohet se është përballur me një tjetër sulm kibernetik, i atribuar grupit të hakerëve “Homeland Justice”. Grupi ka publikuar në kanalin e tij në Telegram disa foto që pretendohet se janë marrë nga email-et e administratës së Kuvendit, duke deklaruar se ka pasur akses në sistem prej muajsh.
Në postimin e publikuar, “Homeland Justice” shprehet se posedon biseda dhe korrespondencë të anëtarëve të Kuvendit gjatë muajve të fundit.
“Sipas tyre, të gjitha bisedat dhe korrespondenca e anëtarëve të korruptuar të Kuvendit gjatë muajve të fundit janë në duart e Homeland Justice, duke shtuar se janë shumë më afër institucioneve shqiptare sesa mendohet”, thuhet në mesazhin e publikuar në Telegram.
Burime bëjnë me dije se aktualisht stafi i Kuvendit po përballet me vështirësi në aksesimin e sistemit të brendshëm. Deri më tani nuk dihet saktësisht se çfarë materialesh mund të jenë marrë apo nëse ka pasur rrjedhje të dhënash nga infrastruktura digjitale e institucionit.
Në një tjetër postim, grupi i hakerëve ka përdorur tone kërcënuese ndaj anëtarëve të parlamentit, duke pretenduar se ka akses në të gjithë infrastrukturën kibernetike të Kuvendit.
“Kjo është gjithashtu nga qasja e Homeland Justice në të gjithë infrastrukturën kibernetike të Kuvendit të korruptuar dhe sponsorizues të terrorizmit. Përshëndetje një fillimi të ri. Së shpejti anëtarët e korruptuar të këtij parlamenti do të turpërohen për veprat e tyre”, thuhet në mesazhin e publikuar.

Grupi “Homeland Justice”, për të cilin dyshohet se lidhet me hakerë iranianë, ka qenë i përfshirë edhe më parë në sulme kibernetike ndaj sistemeve shtetërore shqiptare. Në raste të mëparshme, ata kanë publikuar email-e zyrtare të institucioneve, dokumente administrative, si dhe lista me të dhëna të punonjësve të administratës.
Në disa prej këtyre rasteve janë bërë publike edhe skedarë dhe databaza që pretendohej se ishin marrë nga sistemet e institucioneve shtetërore shqiptare. Autoritetet nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar lidhur me incidentin e fundit.







