Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, AKU, ka bllokuar 738 kg fileto e gjoks pule të kompanisë “KMY” dhe 328.7 kg djathë nga baxho “Bonum” në Tiranë për shkak të kushteve johigjienike në të cilat ato ishin vendosur.
Gjatë inspektimeve të kryera nga Drejtoria rajonale e Autoritetit Kombëtar, dega Tiranë, janë konstatuar problematika me sigurinë ushqimore në dy subjekte biznesi, “KMY” dhe baxho “Bonum”.
Në subjektin KMY me aktivitet ‘’Përpunim mishi’’, u konstatua një ambient ndihmës me kushte higjienosanitare të papërshtatshme.
Ambienti i cili u bllokua nga DRAKU Tiranë dhe do të qëndrojë i bllokuar deri në plotësimin e kushteve higjienosanitare sipas legjislacionit në fuqi.
Gjithashtu DRAKU Tiranë bllokoi sasinë prej 738 kg produkte ‘’Fileto pule’’ dhe ‘’Gjoks pule’’, produkte që gjendeshin në keto ambjente pasi shkrirja e tyre bëhej në kushte jo të përshtatshme higjienosanitare.
Kontrollet e ushtruara në subjektin “Bonom” me aktivitet “Përpunim qumështi-Baxho”, vlerësuan se produktet ishin vendosur në kushte higjieno-sanitare të papërshtatshme. Gjithashtu në ambient u konstatua prani myku, ndryshku dhe lagështie në ambientin e përpunimit.
Inspektorët morën masa të menjëhershme duke bllokuar një sasi prej 328.7 kg djathë i bardhë dhie që ishte gjendje në keto ambiente.
Ndaj OBU u mor masë administrative 300000 leke për ushtrim të aktivitetit në kundërshtim me kërkesat ligjore mbi kushtet e përgjithshme e të veçanta të higjienës së ushqimeve.











