Qindra qytetarë, të afërm dhe përfaqësues institucionesh u mblodhën në qendër të qytetit të Lezhës, në nderim të 25-vjeçares Xhuana Nikollaj, e cila i dha fund jetës pas dhunës që dyshohet se kishte ushtruar ndaj saj ish-bashkëshorti, me të cilin ishte divorcuar tre muaj më parë. Të pranishmit ndezën qirinj, hodhën tullumbace dhe vendosën buqeta me lule pranë fotos së të resë nga Shëngjini, duke shprehur dhimbjen dhe solidaritetin me familjen e saj.
Njëra prej të afërmve të Xhuana Nikollajt u shpreh se pas problemeve me bashkëshortin, 25-vjeçarja ishte marrë me mirëkuptim nga familja e saj 3 muaj më parë dhe kishte nisur jetesën në Tiranë, ku një ditë pas ngjarjes do të niste edhe punë.
Vitore Skandaj e afërme e Xhuana Nikollajt u shpreh se, “Kjo është një nga viktimat që fatkeqësisht ndodhin shpesh këtu. Ngjarja na ka tronditur si një shpërthim. Ne jetojmë jashtë dhe erdhëm menjëherë sapo morëm vesh. Fillimisht menduam se mund të kishte kaluar depresion, pasi kishte tre muaj që ishte ndarë nga bashkëshorti, por nuk ishte kështu. Na vjen shumë keq dhe nuk e dimë në çfarë rrethanash ka qenë. Fillimisht kur i tregoi problemet familjes, prindërit e morën dhe pala tjetër nuk kundërshtoi. Ajo donte të shikonte jetën e saj dhe të fillonte punë. Kam një mesazh për të gjitha gratë: mos heshtni, flisni. Koha ka ndryshuar dhe gratë janë të lira.”
Ndërsa drejtoresha e Shërbimit Social në Bashkinë Lezhë, Marte Fetaj, u kërkoi grave dhe vajzave që t’i denoncojnë rastet e dhunës, si e vetmja mënyrë për të shmangur ngjarje të kësaj natyre.
“Është një nga ato raste ku vajzat nuk kanë ditur të kërkojnë ndihmë ose nuk kanë gjetur derën e duhur për ta kërkuar. Këtë e tregon edhe prania e gjithë qytetit sot, që edhe pse nuk ishte e organizuar, të gjithë dolën për të ndezur një qiri për shpirtin e saj. Në emër të saj dua të bëj një apel: të dashura vajza, kërkoni ndihmë. Të dashur prindër, mbajeni derën tuaj të hapur në çdo moment për vajzat tuaja. Të dashur nëna dhe baballarë, edukoni djemtë tuaj që të duan vajzat si të ishin motrat e tyre.”
25-vjeçarja Xhuana Nikollaj nga Shëngjini i dha fund jetës me fotoksinë, pas dhunës e cila dyshohet të jetë ushtruar nga ish-partneri i saj, tashmë në kërkim nga policia.







