HomeTe tjera35 vite më parë, largimi i Neritan Cekës nga PD, kurthi i...

35 vite më parë, largimi i Neritan Cekës nga PD, kurthi i Ramiz Alisë në përballjen me Berishën në zyrë, rrëfimet e Preç Zogajt

Advertismentspot_img

Në librin Fillimet, të botuar nga UET PRESS, Preç Zogaj sjell zhvillimet nga muajt e parë të demokracisë. Neritan Ceka do të ishte I pari që largohej prej PD me një debat me Berishën dhe mbështetësit e këtij të fundit. Megjithatë Ramiz Aliaj, ende në detyrën e Presidentit, duket se shfrytëzoi rastin për ti ngritur kurth dy demokratëve për ti ndezur edhe më shumë tensionet mes tyre.

PJESË NGA LIBRI FILLIMET I UET PRESS

Largimi i Neritan Cekës nga PD

 Me brumin prej intelektuali dhe me kuptimin prej arkeologu për kohën pa fund, Neritan Ceka do të ishte i pari nga Partia Demokratike që do t’i shkelte në kallo kësaj Shqipërie. Ishte tronditur dhe indinjuar jashtë mase, nuk e mbante vendi. Teodor Keko që i kishte ndenjur afër ato ditë do më thoshte se ishte bërë si me krusmë. Të nesërmen, më 5 dhjetor, Neritani u mbyll në zyrën e tij në Institutin Arkeologjik. Atje shkroi një letër të hapur, të cilën ia çoi në shtëpi kryeredaktorit të gazetës “RD”, Mitro Çelës, për ta botuar. Nuk e gjeti Mitron, por ia la letrën gruas së tij, Netit, me porositë përkatëse. Në orën 18.00 ngjiti për herë të fundit shkallët e selisë së PD-së në rrugën e Kavajës ku ishte thirrur një mbledhje e zgjeruar e kryesisë. Duke takuar disa prej miqve të tij në seli, me gjasë pati një pendim për letrën e hapur që kishte lënë për botim. Kërkoi mos shihte Mitro Çelën dhe si nuk ia zunë sytë gjëkundi, i tha nën zë Arben Demetit: “Gjeje Mitron dhe thuaj të mos e botojë një letër që kam lënë në shtëpinë e tij!”

Me këto fjalë pendese, duke kujtuar fjalën e urtë “inatin e sotëm lëre për nesër”, qëndroi pa folur në mbledhje, priste të mbaronte dhe të largohej pa prishur qejf me njeri atë mbrëmje. Por nuk i shpëtoi dot përplasjes me Blerim Çelën dhe me dy- tre deputetë të tjerë që po i thurnin lavde “doktorit”, duke sulmuar ish ministrat që nuk e kishin mbrojtur siç duhej në mbledhjen e qeverisë.

“Kush jeni ju? Kush”? shpërtheu Ceka. I mori me radhë ata që kishte përballë dhe të tjerë që kishte para syve të mendjes, njërit duke i thënë “ti që nuk ke tru as sa një pulë”, dikujt tjetër duke i kujtuar se si ishte mbytur në lot kur kishte vdekur Enver Hoxha dhe nuk kishte punuar dot disa ditë me radhë ngaqë i dridheshin duart.

Papritur, si të ishte zgjuar nga një jerm, u ngrit në këmbë, tha “Neritan Cekën nuk e keni më” dhe mori të largohej.

Ali Spahia deshi ta ndalonte : “Neritan, Neritan, mos kështu”. Ky e shtyu pa mëdyshje dhe vazhdoi drejt korridorit. Nuk u kthye dhe nuk do të kthehej më. Mbledhja u prish. Arben Demeti që vinte kurdoherë interesin e partisë mbi çdo interes tjetër, nxitoi megjithatë të çonte në vend porosinë e tij. E gjeti letrën e famshme atje ku Ceka e kishte lënë, te shtëpia e Mitro Çelës, e lexoi në këmbë, pastaj e futi me kujdesin e tij karakteristik në një dosje që mbante me vete, me qëllim që të mos binte në duart e tjetërkujt.

Neritani në fakt kishte ruajtur edhe kopje të tjera të asaj letre që do të botohej në gazetën “Koha jonë” pak ditë më vonë. Por kur u largua nga mbledhja e kryesisë nuk po mendonte më për të. Po konceptonte një reagim tjetër, një deklaratë tjetër, të cilën e përgatiti gjatë natës për ta patur gati të nesërmen. Shpërfillës i hollësive dhe detajeve, njëlloj senatori ekzotik në xhunglën e politikës shqiptare, ai vendosi të paraqitej me deklaratën e tij të re në zyrën e Ramiz Alisë dhe Ylli Bufit, me të cilët kishte negociuar për arrestimin e bllokmenëve. Ishte njëlloj larjeje e ndërgjegjes për premtimet e dështuara që u kishte dhënë. Do ta fillonte me Ramiz Alinë. Atje, në zyrën e Presidentit, do të përballej paraditen e datës 6 dhjetor me Sali Berishën në mizanskenën e një “kurthi”, që vetëm rasti, djallëzia apo mendjelehtësia mund ta kombinonin në atë mënyrë. Kryetari PD-së dhe nënkryetari i saj u gjenden pavarësisht nga njëri tjetrin në të njëjtën orë, me një diferencë të vogël minutash në godinën e Presidencës.

I pari ishte thirrur për bisedime për qeverinë teknike që do të pasonte qeverinë e stabilitetit. Sipas Alisë, edhe i dyti ishte thirrur për të njëjtën arsye, si kryetar i grupit parlamentar të PD-së, por kjo nuk kishte kuptim tjetër përveç diversionit. Ceka do ta mohonte se ishte thirrur për bisedime. E kishte kërkuar vetë takimin për të lexuar në zyrën e kryetarit të shtetit një deklaratë. Alia i kishte lënë orën, ose duke harruar se kishte lënë takim në të njëjtën orë me Berishën, ose duke mos i dhënë rëndësi përplasjes së orareve, ose me qëllim që të ndodhte ajo që do të ndodhte. Ceka kishte mbërritur i pari. Kishte hyrë në zyrën e Alisë dhe kishte kërkuar të lejohej të bënte të njohur mendimin e tij lidhur me prishjen e qeverisë së stabilitetit. Në këto fjalë kishte mbërritur Berisha.

Të habitur pa dyshim dhe duke menduar secili në hesap të vet se tjetri kishte kauzë të përbashkët me Alinë, Ceka dhe Berisha nuk e kishin fshehur dot ftohtësinë e tyre para qetësisë prej të pafajshmi të Alisë. Një kamera e televizionit shtetëror ishte fiksuar në zyrën e Presidentit për të filmuar takimet e tij të asaj dite.

I fokusuar në qëllimin e tij, Neritan Ceka kishte nxjerrë sakaq nga xhepi deklaratën. Sapo kishte lexuar rreshtat e parë, Berisha kishte ndërhyrë i nervozuar: “Një minutë, një minutë”. Pastaj duke iu drejtuar Ramiz Alisë : “Unë po dal sa të mbarojë Neritani deklaratën e tij”. Kamera fiksoi kindat e xhaketës së tij të shpërvjelur në pjesën e pasme. Po largohej i prekur, kryelartë, sfidant. I kishte letrat në rregull të reklamonte një prapaskenë të përbashkët të Cekës dhe Alisë në zyrën e këtij të fundit. Ceka, ndërkaq e lexoi deri në fund deklaratën e tij para kameras, pa shikuar më në drejtim të Alisë. Në një nga paragrafët e deklaratës kërkonte tërheqjen e Ramiz Alisë dhe Sali Berishës nga politika. Më vonë, duke gjykuar mbi faktin se pasojat e atij incidenti do të binin grumbull mbi të, Ceka do të tundohej të besonte se prapaskena ishte kurdisur kundër tij nga Alia dhe Berisha.

Alia do të jepte versionin e tij për ketë incident, duke e konsideruar të rastësishëm. Në librin e tij me kujtime “Jeta ime”, ai rrëfen se e kishte qortuar Neritan Cekën për deklaratën e bërë në zyrën e tij, duke i thënë: “Se çfarë problemesh keni ju brenda partisë suaj, kjo është një gjë që ju përket juve dhe mund ta zgjidhni diku tjetër, jo në Presidencë”. Në të njëjtin libër Alia shënon se përmes një bisede telefonike ishte përpjekur të sqaronte edhe Sali Berishën. “Ajo që ndodhi në zyrën time ishte krejt e papritur. Unë nuk e dija se Ceka do të bënte një deklaratë. Përsa i takon faktit që unë e lejova atë, nuk ka asgjë të parregullt Unë nuk mund të ndaloj askënd që të bëjë deklarata, ose të thotë lirisht atë që mendon. Takimet ndaj i bëj. Prandaj nuk ka një kurth nga askush”.

Koha do të tregonte se kurth në kuptimin e një skenari të parapërgatitur nuk ka patur as nga dyshja Alia- Ceka kundër Berishës, as nga dyshja Alia – Berisha kundër Cekës.

Alisë thjesht i kishte pëlqyer ta shihte të përçarë Partinë Demokratike. Prandaj e kishte lënë ngjarjen të filmohej dhe trasmetohej live në ekranin e televizionit të vetëm shtetëror. Publiku pa një Berisha burrëror, pa Alinë në rolin e sehirxhiut të keqardhur, pa Cekën që po shpëtonte shpirtin e tij. Autori i vërtetë i spektaklit ngjante të ishte rasti, “regjisori” ngjante të ishte nijeti i Alisë për t’i parë majë më majë krerët e PD-së.

Pasi mbaroi në Presidencë, Neritan Ceka u ngjit në zyrën e Ylli Bufit ku lexoi me një solemnitet të panatyrshëm të njëjtën deklaratë që kishte lexuar në zyrën e Ramiz Alisë. “Neritan Ceka e bëri të vetën. Tani bëni ç’të doni”! u tha Arben Demetit dhe Tritan Shehut, kur këta të dy e gjetën më vonë në zyrën e tij në Institutin Arkeologjik në shoqërinë e Teodor Kekos. Realisht, gjithçka rastësi nuk duket të ketë qenë. Nëse ka patur pakëz intrigë në këtë rebus politik, më i shinjestruari i treshes rezultoi të ketë qenë Neritan Ceka. Po të mos ishte mediatizuar deklarata e tij në zyrën e Alisë, siç nuk u mediatizua ajo në zyrën e Ylli Bufit, ose po të ishte mediatizuar vetëm kjo e dyta, konflikti Ceka- Berisha do të ishte zhvilluar normalisht si një konflikt politik brenda llojit. Por nuk ndodhi kështu. Mediatizimi i përplasjes në zyrën e Alisë u dha dorë Berishës dhe besnikëve të tij të ngrinin në këmbë një furi populiste kundër Neritan Cekës dhe gjithë mbështetësve të tij të vërtetë apo të supozuar në forumet e PD-së. Selia e Partisë Demokratike u rrethua me militantë të sinqertë dhe të manipuluar, të cilët e bënë zakon të krijonin një si korridor turpi për ish ministrat dhe liberalët e ekspozuar që vinin për punë apo për mbledhje në parti. Kishte mes këtyre militantëve edhe rrugaçë e kriminelë ordinerë që mbanin shufra hekuri nëpër duar, që kërcënonin e shanin me fjalë të pista.

Derisa Gramoz Pashko që ishte kthyer nga Londra, i kërkoi Berishës në një mbledhje kryesie të largonte hordhitë nga hyrja dhe oborri i partisë. Shpërthimi populist i atyre ditëve, që dukej sikur ishte konceptuar si një fazë e dytë e kongresit të PD-së, tashmë në kushtet e reja të pushtimit të arenës nga mitingashët, njohu një kulm të tërbimit në qytetin e Elbasanit ku Ceka kishte vendlindjen dhe zyrën e tij elektorale si deputet. Ditën kur kishte planifikuar të shkonte për t’u sqaruar me zgjedhësit e tij për incidentin në zyrën e Ramiz Alisë, dega lokale e PD-së së Elbasanit, e udhëzuar dhe e ndihmuar nga partia në qendër, organizoi në rrugët e qytetit dhe mandej në Pallatin e Sportit një antimiting fundamentalit plot kërcënime kundër Cekës.

 Ky u njoftua dhe u kthye mbrapsht në mes të rrugës. E pashë në TV antimitingun kundër tij, një shfaqje ekstreme e linçimit verbal të njeriut. Të paharrueshme fytyrat e prishura nga egërsia. Nuk mund ta dija sa prej tyre ishin elbasanas e sa mercenarë, ndoshta shumica ishin klakerë dhe mitingashë ambulantë të dërguar nga Tirana apo fshatrat, por gjithsesi, si do që të këtë qenë puna, Elbasani do ta kishte njollë për shumë kohë atë miting që kurorëzoi statusin e vulgut dhe u vuri kufi intelektualëve të lirë në Partinë Demokratike

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular