Rritja e çmimeve të naftës, Rama E pashmangshme, po ndodh në të gjithë botën
Gjatë shënimeve të javës në podkastin e tij “Flasim”, kryeministri Edi Rama u ndal edhe te rritja e çmimit të karburantit për shkak të luftës në Iran
Ai u shpreh se kjo rritje është e pashmangshme dhe se po ndodh në të gjithë botën.
“Kjo është një rritje e pashmangshme në të gjitha tregjet botërore dhe po ndodh në të gjithë botën pikërisht si pasojë e këputjes së zinxhirit të vlerës që qarkullon në shkëmbimet tregtare në një pikë strategjike siç është ngushtica e Hormuzit”, tha Rama.
Ai bëri me dije se Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Financave kanë ngritur një task forcë të përbashkët për rritjen e kontrolleve dhe parandalimin e çdo rritjeje abuzive. Ai u shpreh se zinxhiri i tregtimit të karburanteve do të jetë në monitorim të vazhdueshëm.
“Besoj shumë se ky do të jetë një moment kthese për të përmbushur edhe një tjetër ambicie dhe zotim të marrë menjëherë me nisjen e mandatit të katërt, që nafta që tregtohet në Shqipëri, të jetë një produkt në një nivel të pandikuar kaq fort nga luhatjet në tregjet ndërkombëtare dhe kjo është plotësisht e mundur. Paralelisht, Ministrja e Ekonomisë ka ngritur një task forcë të përbashkët me Ministrin e Financave, duke vënë në veprim administratën tatimore dhe doganore, nga njëra anë, me qëllim rritjen e kontrollit në tregun e hidrokarbureve dhe parandalimin e çdo rritje abuzive të çmimeve të karburanteve dhe nga ana tjetër për të studiuar me shpejtësi edhe një ndikim mbi fenomenin abuziv të rritjes së çmimit të ushqimeve. Ky grup propocional do të fokusohet me një plan të detajuar në gjithë zinxhirin e tregtimit të karburanteve, si në shumicë, ashtu dhe në pakicë, ndërsa çmimet do jenë nën monitorim të vazhdueshëm nga institucionet përkatëse. Po ashtu, projektligji për rezervat strategjike të naftës është tashmë në konsultim publik. Përkon me këtë situatë, por është një nismë e ndërmarrë kohë përpara krijimit të kësaj situate. Parashikon një krijim rezervash që shtrihet nga një në tre muaj, të naftës, por e thashë dhe më parë, ambicia jonë shkon përtej kësaj dhe besoj se në pak muaj, qytetarët do të mund të prekin fillimin e një ndryshimi të shumëpritur në tregun e karburanteve”, tha Rama.







