Një sulm me dronë iranianë ka goditur gjatë natës Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait (DXB), duke shkaktuar kaos total në njërën prej nyjeve më të rëndësishme të aviacionit në botë.
Sipas informacioneve të para, dronët kanë shënjestruar direkt rezervuarët e karburantit, duke shkaktuar shpërthime të fuqishme dhe një zjarr gjigant që ka mbuluar qiellin me tym të zi. Autoritetet e Emirateve kanë reaguar menjëherë duke urdhëruar pezullimin e plotë të të gjitha fluturimeve si masë sigurie për pasagjerët.
Dhjetëra avionë që ishin në ajër janë devijuar me urgjencë drejt aeroportit Al Maktoum.
Bllokimi prek mbi 90 milionë udhëtarë që qarkullojnë çdo vit përmes këtij aeroporti.
Ky sulm shënon një përshkallëzim të rrezikshëm të situatës në rajon, duke vënë në alarm forcat e sigurisë.
Deri më tani nuk raportohet për viktima në njerëz, por dëmet materiale janë kolosale. Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë udhëtarëve të mos nisen drejt aeroportit dhe të kontaktojnë urgjentisht kompanitë e tyre ajrore për përditësime.







