Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, gratë në Shqipëri jetojnë mesatarisht 82.5 vite, rreth 4 vite më shumë se burrat, duke konfirmuar diferencën gjinore që vihet re edhe në shumë vende të tjera europiane.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se jetëgjatësia në Shqipëri ndryshon sipas rajoneve. Zonat jugore dhe ato qendrore regjistrojnë vlerat më të larta. Në jug, jetëgjatësia mesatare arrin në 80.77 vite, ndërsa në zonat qendrore është pothuajse e njëjtë, me 80.74 vite.
Ndërkohë, veriu i vendit ka jetëgjatësinë më të ulët, me një mesatare prej 79.2 vitesh.
Në total, jetëgjatësia mesatare e shqiptarëve arrin në 80.5 vite, rreth 1 vit më pak se mesatarja e Bashkimit Europian, e cila sipas Eurostat llogaritet në 81.5 vite.
Në nivel europian, jetëgjatësia pësoi rënie gjatë viteve të pandemisë së COVID-19. Në vitin 2020 ajo zbriti në 80.4 vite, ndërsa në vitin 2021 në 80.1 vite. Megjithatë, në vitet pasuese treguesi është rikuperuar dhe ka kaluar edhe nivelet para pandemisë, kur në vitin 2019 ishte 81.3 vite.
Sipas të dhënave të Eurostat, disa rajone në Europë kanë arritur jetëgjatësinë më të lartë. Mes tyre janë rajoni i Komuniteti i Madridit në Spanjë me 85.7 vite, rajonet italiane Trentino dhe Bolzano, si dhe kryeqyteti suedez Stokholm, ku jetëgjatësia arrin në rreth 85 vite.







