Politologu Ardit Gjinali gjatë një interviste në emisionin “Breaking” , Top News me gazetaren Dafina Hysa ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë. Gjinali nënvizoi që Gjykata Kushtetuese ndërmori një vendim të matur juridik me pezullimin e veprimeve të mëtejshme përkatësisht të institucionit të Presidencës dhe të Kuvendit , gjithashtu; veprime të mundshme që do të ishin objekte të ankimeve të vazhdueshme në Gjykatën Kushtetuese duke inkurajuar skenare bllokade në efekt domino.
Duke komentuar rrjedhën e negociatave për proçesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, Gjinali nënvizoi mungesën e vullnetit për konsensus të klasës politike parlamentare, veçanërisht të partisë më të madhe parlamentare, përkatësisht Lëvizja Vetëvendosje. Gjinali vijoi duke theksuar që ky vit politik ka dëshmuar një vullnet për të qeverisur Kosovën në rrethana të jashtëzakonshme, tentativa për të shndërruar “jashtëzakonshmërinë” në një formë dhe normë qeverisjeje, gjithashtu.
Në përfundim, Gjinali vlerësoi mandatin presidencial të Vjosa Osmani veçanërisht në politikën e Jashtme dhe shtoi që zonja Osmani gëzon një pranueshmëri dhe pëlqyeshmëri të lartë në rradhët e opinionit publik.







