Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka sfiduar sërish komunitetin ndërkombëtar me një provë masive të forcës ushtarake. I shoqëruar nga vajza e tij adoleshente, e cila tashmë shihet hapur si pasardhësja e tij politike, Kim ndoqi nga afër stërvitjen me raketahedhës super precizë 600 milimetrash në brigjet lindore të vendit.
Sipas agjencisë KCNA, gjatë stërvitjes u përdorën 12 raketahedhës që synojnë objektivë brenda një rrezeje prej 420 kilometrash. Kim Jong-un ishte i prerë në deklaratën e tij, duke theksuar se këto armë janë krijuar për të dhënë “një kuptim të thellë të fuqisë shkatërruese të armëve bërthamore taktike”.
“Nëse përdoret kjo armë, infrastruktura ushtarake e armikut nuk do të mbijetojë kurrë,” paralajmëroi ai, duke lënë të kuptohet se objektivat e mundshëm janë bazat kryesore në Korenë e Jugut.
Nga ana tjetër, ushtria e Koresë së Jugut konfirmoi se zbuloi rreth 10 raketa balistike të lëshuara nga zona e Phenianit. Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Seul e ka dënuar ashpër këtë veprim, duke e cilësuar si një provokim të rëndë që shkel rezolutat e OKB-së dhe kërcënon stabilitetin rajonal.







