HomeBota“Ai nuk u shkarkua”, Trump me një tjetër detyrë për bashkëpunëtorin e...

“Ai nuk u shkarkua”, Trump me një tjetër detyrë për bashkëpunëtorin e tij të afërt: Grenell do të ketë një rol të rëndësishëm

Advertismentspot_img

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, konfirmoi se aleati i tij i ngushtë Richard Grenell do të largohet nga drejtimi i John F. Kennedy Center, duke theksuar se vendimi nuk lidhet me shkarkim, por me një rol të ri që pritet të jetë “shumë i rëndësishëm”.

Gjatë një deklarate për mediat, Trump sqaroi se Grenell po tërhiqet nga posti i drejtuesit të qendrës kulturore në Uashington, ndërsa theksoi se ai mbetet një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt dhe se së shpejti do të marrë një detyrë tjetër në administratë.

“Ai nuk u shkarkua,” u shpreh Trump, duke reaguar ndaj spekulimeve për largimin e Grenell nga posti në Qendrën Kennedy. “Richard ka bërë një punë shumë të mirë dhe do të marrë një rol tjetër shumë të rëndësishëm.”

Largimi i Grenell vjen në një moment kur administrata Trump po planifikon ndryshime të mëdha në qendrën prestigjioze të arteve skenike në kryeqytetin amerikan. Trump ka propozuar që institucioni të mbyllet për rreth dy vite për një rikonstruksion të plotë, me synimin për ta transformuar atë në një kompleks më modern dhe më të madh kulturor.

Sipas presidentit amerikan, ndërtesa aktuale ndodhet në “gjendje shumë të keqe” dhe kërkon investime të mëdha për t’u kthyer në një nga qendrat më të rëndësishme të arteve skenike në botë.

“Do ta mbyllim dhe do të bëjmë një rihapje madhështore. Kur të përfundojë, do të jetë shumë më e mirë se kur u ndërtua fillimisht,” deklaroi Trump.

Në vend të Grenell, Trump ka propozuar që posti i CEO dhe drejtorit ekzekutiv të merret nga Matt Floca, aktualisht zëvendëspresident për operacionet në Qendrën Kennedy. Emërimi i tij duhet të miratohet nga bordi drejtues i institucionit.

Grenell, i cili ka shërbyer më parë edhe si ambasador i SHBA-së në Gjermani dhe si i dërguar special në disa misione diplomatike, konsiderohet një nga figurat më të afërta politike me Trump dhe shpesh është përfshirë në iniciativa të rëndësishme të administratës së tij.

Megjithëse presidenti nuk dha detaje konkrete për detyrën e re të Grenell, ai la të kuptohet se bëhet fjalë për një rol me peshë politike ose diplomatike në administratën e tij.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular