Debatet brenda shtëpisë së Big Brother VIP Albania vijojnë të prodhojnë reagime edhe jashtë saj. Së fundmi, ka qenë vëllai i Rogertit, Xhuljo, i cili ka komentuar publikisht deklaratën e babait të Selinës, pas përplasjeve të vazhdueshme mes dy banorëve.
Pak ditë më parë, babai i Selinës, përmes një mesazhi në “Fan Club”, kishte paralajmëruar se situata duhet parë edhe në prizmin e “ligjeve dhe kanuneve”, duke theksuar se fyerjet e përsëritura ndaj një vajze prekin të gjithë familjen e saj.
Në një intervistë për Shqipëria Live, Xhuljo u shpreh se një çështje e tillë do të ishte më mirë të trajtohej larg vëmendjes publike. Ai theksoi se komunikimi i drejtpërdrejtë mes familjeve do të shmangte keqkuptimet dhe tensionet e panevojshme.
Sipas tij, familja e tyre nuk kërkon konflikt dhe mbetet e hapur për dialog, duke sugjeruar që babai i Selinës mund të kontaktojë drejtpërdrejt për të sqaruar situatën. Xhuljo nënvizoi gjithashtu se brenda shtëpisë ndodhin edhe momente pozitive, përtej debateve, dhe se situatat duhet parë me më shumë qetësi.
Ai shtoi se Rogerti, ashtu si banorët e tjerë, po ndjek lojën e tij, ndërsa nuk la pa përmendur edhe faktin se janë bërë komente që prekin familjarët, duke apeluar për më shumë kujdes dhe respekt në komunikim.







