Babai i 25-vjeçares nga Lezha Xhuana Nikollaj, në një rrëfim të trishtë për emisionin ‘Me zemër të hapur’, u shpreh se nuk ishte në dijeni të faktit se vajza e tij dhunohej nga ish-partneri i saj.
Mes pikëllimit të thellë, babai i vajzës tha se Xhuana ishte martuar në qershor të 2025-ës dhe ishte ndarë në janar me mirëkuptim.
Mes të tjerash ai pohoi se telefonatën e fundit vajza e kishte bërë me nënën e saj.
“Jemi të vdekur, vetëm marrim frymë. U zhvendos 3 muaj më parë në Tiranë. Lajmin na e dha vajza tjetër, se është në Tiranë. Nuk na ka thënë asgjë për dhunën, s’dinim asgjë. Me Eraldon u martua në qershor të vitit të kaluar. U divorcuan në janar. U ndanë pa ngatërresa, se nuk shkonin. Nuk jam në gjendje me fol, na falni. A do të ngjallet ajo?! Ia kemi lënë në dorë drejtësisë.”, tha ai.
MARTESA DHE DIVORCI
Xhuana Nikollaj dhe Eraldo Fizi kishin kurorëzuar martesën e tyre në qershor të vitit 2025 dhe kishin nisur jetën së bashku në Lezhë. Por martesa e tyre zgjati vetëm tre muaj, për shkak të konflikteve të vazhdueshme mes çiftit, që përfunduan me divorc.
Pas ndarjes, 25-vjeçarja u zhvendos në Tiranë për të jetuar me motrat e saj. Burime policore bëjnë me dije se më 9 mars, një ditë para ngjarjes tragjike, ish-bashkëshorti ishte kthyer nga jashtë shtetit dhe kishte shkuar në banesën e saj në Tiranë.
Dyshohet se mes tyre ka pasur një tjetër përballje, gjatë së cilës i riu mund ta ketë dhunuar. Në këqyrjen paraprake të trupit të pajetë janë konstatuar shenja dhune në kokë, fytyrë dhe në njërin krah, ndërsa pritet përgjigjja e ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun zyrtar të vdekjes.
Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim Eraldo Fizin, i dyshuar për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Shkaktim i vetëvrasjes”. Hetuesit po punojnë gjithashtu për të zbuluar edhe se si 25-vjeçarja arriti të sigurojë fostoksinën, një lëndë e rrezikshme dhe e ndaluar për përdorim të pakontrolluar.







