HomeAktualitetNisi sot pelegrinazhi në Laç që zgjat 13 javë, policia “blindon” akset...

Nisi sot pelegrinazhi në Laç që zgjat 13 javë, policia “blindon” akset dhe Kishën e Shna Ndout

Advertismentspot_img

Fillimi i 13 të martave në Kishën e Laçit ka mbledhur këtë të martë një numër të madh besimtarësh, të cilët janë bashkuar në lutje, reflektim dhe ndarje përjetimesh personale në këto ditë të veçanta për ta.

Në një atmosferë të qetë dhe të mbushur me përkushtim shpirtëror, qytetarë të moshave të ndryshme kanë treguar histori dhe dëshmi nga jeta e tyre, duke e kthyer këtë traditë në një moment të rëndësishëm bashkimi dhe besimi.

Frat Landi Jaku u shpreh se këtë vit vihet re një rritje e numrit të fëmijëve që nuk flasin, duke bërë që shumë prindër t’i drejtohen këtij vendi të shenjtë me lutje. Në prag të Pashkëve, ai theksoi rëndësinë e pajtimit dhe përgatitjes shpirtërore për festën më të rëndësishme të kalendarit katolik.

Mes lutjeve dhe shpresës, flaka e qirinjve simbolizon dritën në zemrat e besimtarëve, të cilët largohen me besimin se lutjet e tyre do të marrin përgjigje.

Ndërkohë, Policia e Lezhës dhe ajo e Kurbinit kanë hartuar një plan të posaçëm masash për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë pelegrinazhit në Kishën e Shna Ndout, i cili ka nisur më 17 mars dhe zhvillohet çdo të martë për 13 javë radhazi.

Sipas njoftimit zyrtar, masat synojnë parandalimin e ngjarjeve kriminale, menaxhimin e fluksit të qytetarëve, shmangien e aksidenteve rrugore dhe administrimin e trafikut drejt kishës.

Për këtë qëllim, shërbimet e Policisë Rrugore janë vendosur përgjatë aksit “Autostradë–Laç” deri në zonën e kishës, për të orientuar lëvizjen e mjeteve dhe për të shmangur bllokimet.

Prezencë e shtuar policore ka edhe në kryqëzimet kryesore, si në zonën e Patokut, pranë Gjykatës së Laçit dhe afër varrezave të qytetit, si dhe në hyrje-daljet e parkimeve dhe segmentin malor, ku rreziku për trafik të rënduar është më i lartë.

Pikat e nxehta të trafikut nën mbikëqyrje

Për të lehtësuar qarkullimin, forcat e policisë kanë mbuluar kryqëzimet kryesore, duke përfshirë:

Kryqëzimin në zonën e Patokut.

Nyjen rrugore pranë Gjykatës së Laçit.

Zonën në afërsi të varrezave të qytetit.

Siguria në perimetrin e Kishës

Një sfidë logjistike mbetet menaxhimi i automjeteve në afërsi të Kishës së Shna Ndout. Për të shmangur bllokimet në segmentin e ngushtë malor, efektivët janë pozicionuar në hyrje-daljet e vendparkimeve në perimetrin e kishës.

Megjithatë, masat nuk kufizohen vetëm në qarkullimin rrugor. Në terren janë angazhuar edhe patrullat e Rendit Publik, si dhe strukturat e Policisë Kriminale, me detyrë parandalimin e çdo ngjarjeje kriminale apo incidenti të mundshëm në turmat e mëdha të njerëzve.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të respektojnë udhëzimet e policisë, në mënyrë që ky aktivitet të zhvillohet i qetë dhe pa probleme.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular