Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, e ka lidhur bojkotin e opozitës ndaj rezolutës për shpalljen e Iranit shtet terrorist me atë që ai e konsideron një kurs të gabuar të PD-së në raport me komunitetin ndërkombëtar.
Spaho thotë se opozita gaboi që nuk mori pjesë në miratimin e një rezolute që, sipas tij, kishte vlerë të qartë politike, sidomos duke pasur parasysh sulmet kibernetike dhe aktet e tjera armiqësore që Irani ka ndërmarrë ndaj Shqipërisë.
Sipas tij, ky qëndrim vjen në vijim të përplasjeve të vazhdueshme të PD-së me ambasadorë të BE-së, SHBA-së dhe OSBE-së. Spaho shprehet se është e gabuar që faji të kërkohet gjithmonë te të tjerët, ndërsa paralajmëron se rruga e konfliktit me aleatët vetëm sa e zgjat qëndrimin e demokratëve në opozitë.
“Irani ka organizuar dy sulme terroriste kibernetike ndaj infrastruktures se sherbimeve si dhe ka tentuar vrasje dhe akte te tjera sabotazhi ne vendin tone.
Rezoluta per te shpallur Iranin shtet terrorist eshte mesazh politik.
Opozita gabon qe per hir te nje “arsye” banale, nuk merr pjese ne miratimin e saj, duke percjelle nje mesazh te gabuar tek SHBA dhe aleatet tane.
Mosmiratimi i rezolutes vjen pas sulmit te ashper qe PD ndermori ndaj ambasadorit te BE.
Qe kur PD ka dale ne opozite ka sulmuar personalisht pa perjashtim te gjithe ambasadoret e BE, te gjithe ambasadoret e SHBA dhe disa nga ambasadoret e OSBE ne vendin tone.
Eshte e veshtire te pranosh qe gjithmone faji qendron ne krahun tjeter dhe ne asnje rast ne krahun e PD.
Rruga e luftes me komunitetin nderkombetar e zgjat edhe me shume qendrimin e PD ne opozite.
PD ka nevoje urgjente per ndryshim thelbesor ne sjellje dhe qendrime, te reformohet rrenjesisht dhe te ndryshoje ekipin drejtues ne menyre qe ti afrohet simotrave te saja ne PPE e te rifitoje mbeshtetjen e humbur nderkombetare.” – shkruan ish-deputeti Spaho.







