Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për përcaktimin e kritereve dhe masës së kompensimit për ushtarakët e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë kur emërohen ose komandohen në detyrë jashtë vendbanimit të tyre.
Vendimi, i propozuar nga ministri i Mbrojtjes dhe në mbështetje të ligjit për statusin e ushtarakut, parashikon që ushtarakët aktivë të përfitojnë kompensim për transport në rast se nuk u sigurohet transporti, strehimi ose qira banese nga Ministria e Mbrojtjes.
Masa e kompensimit përcaktohet sipas distancës nga vendbanimi, duke filluar nga 4 400 lekë në muaj për distanca 5-25 kilometra, 8 800 lekë për distanca 26-50 kilometra, 13 200 lekë për distanca 51-100 kilometra dhe 20 000 lekë për distanca mbi 101 kilometra.
Përfitimi i kësaj pagesë ndërpritet në momentin që ushtarakut i sigurohet vendbanimi, përfundon periudha e komandimit jashtë vendbanimit ose ai sistemohët me banesë pranë vendit të shërbimit.
Për të përfituar kompensimin, ushtarakët duhet të rinovojnë dokumentacionin çdo vit pranë strukturës ku shërbejnë.
Vendimi parashikon gjithashtu transport falas për familjet dhe materialet e shtëpisë kur ushtaraku transferon familjen së bashku me vete.
Efektet financiare të këtij vendimi përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare” dhe shfuqizon vendimin e mëparshëm nr. 435, datë 25 qershor 2004.







