Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji, ka vijuar nismën e tij politike dhe takimet me një tryezë me intelektualët dhe shoqërinë civile ditën e sotme (18 mars).
Në fjalën e tij ai tha se sistemi politik në Shqipëri është deformuar ndër vite, ku nuk ka më meritokraci as brenda dhe as jashtë partive, ku nuk njihet institucioni i dorëheqjes dhe gjithashtu ku zgjedhin kryetarët dhe jo qytetarët.
Sipas tij, gjithmonë gjërat bëhen për interesa të klaneve dhe jo të qytetarëve, ku nuk ka llogaridhënie dhe vendoset shumë presion me “bukën e gojës” ndaj shqiptarëve.
“Ka tematika që shqetësojnë seriozisht Shqipërinë. Të drejta themelore të qytetarëve për të jetuar dhe punuar në Shqipëri. Ne kemi deformim të thellë të sistemit politik në Shqipëri dhe përgjegjëse është e gjithë klasa politike. Kemi debat publik të varfëruar, që nuk kanë lidhje me hallet dhe problemet e përditshme që ka shoqëria. Bëhet gjithçka për interesat e klaneve të caktuara, bilanc për premtime që bëhet, llogaridhënia e shtrënguar deri te buka e gojës, presione, represione, pa pyetur për rregullat demokratike, edhe pse është parakusht demokratizimi i partive. Kjo solli institucione të dobësuara dhe vendimmarrje që nuk i shërben interesave të qytetarëve”, tha ish-ligjvënësi opozitar.
Ai shtoi se duhet të ketë rregulla dhe ndryshim, pasi qytetarët janë dekurajuar dhe braktisin çdo ditë dhe më shumë vendin.
“Dhe nëse nuk i nënshtrohen rregullave, kemi deformim dhe ndaj Shqipëria sot është si vend hibrid, nuk njihet as dorëheqja si akt sublim, ku politikanë dhe zyrtarë nuk mbajnë përgjegjësi për politikat dhe vendimmarrjet e veta. Ka dekurajim të qytetarëve për të mos marrë pjesë në procese. Gjithçka politizohet, nuk ka debat në asnjë fushë, s’ka debat real për ekonominë, mirëqenien, sistemin shëndetësor, arsimor dhe fusha të tjera. Disa zëra duken apatikë, ata që nuk reagojnë janë shqetësim. Njerëzit duken të dorëzuar, kanë humbur besimin, shumica ka zgjedhur të largohet nga vendi, ata që janë këtu heshtin”, vijoi ish-deputeti.
Dhe shtoi se:
“Nuk ka parti që u nënshtrohen rregullave nuk kemi më demokraci. Sot nuk hiqet as dorëheqja si akt sublim. Politika duket sikur ka qëllim jo pjesëmarrjen e intelektualëve dhe qytetarëve por dekurajim për të mos marrë pjesë në procese. Duket sikur debati real mbi ekonominë ose administratën publike nuk ekziston. Duket sikur zërat që reagojnë janë të çuditshëm, kur duhet të ishte e kundërta”.
Salianji u shpreh se pikërisht në këto rrethana, është thirrur edhe tryeza me intelektualët, mediat, shoqërinë civile, pedagogë, për të gjetur zgjidhje. Pasi deri më sot, edhe me ndryshimet e Kodit Elektoral, zgjedhin vetëm kryetarët e partive dhe jo qytetarët.
“Politika nuk ka interes përfshirjen e intelektualëve. Ndaj edhe të gjithë këtu pjesëmarrës, shoqëria civile, politikanë, pedagodë, intelektualë, të bëjmë këtë debat që kërkohet, sepse Shqipëria është e goditur, s’ka rregulla loje, ato nuk respektohen në partitë politike, ka mungesë reale zgjedhjesh në to. Madje me ndryshimet në Kodin Elektoral 2008 dhe 2024 u bë një sistem hibrid ku nuk zgjedhin qytetarët, por kryetarët. Mungesë zgjedhjesh reale si në PS, si në PD, mungesë zgjedhjesh reale të qytetarëve të përfaqësuesve të tyre, pasi kemi një sistem ku zgjedhin më shumë krerët e partive”, vuri në dukje ai.







