Qeveria pritet të ringrejë Bordin e Transparencës. Kujtojmë se nga mbledhja e qeverisë këtë të enjte, 19 mars, Ministri për Infrastrukturën dhe Energjinë, Enea Karakaçi, njoftoi se mund të riaktivizohet Bordi i Transparencës nëse është e nevojshme.
Vendimi pritet të bëhet publik së shpejti.
Po ashtu, është vendosur të bëhet ulja me 20% e akcizës së karburantit.
Pra, nga 39.6 lekë që është aktualisht, të ulet në 31.68 lekë.
Ky vendim pritet të garantojë çmime më të kontrolluara dhe më pak abuzime, sipas qeverisë. Këto çmime janë tavan dhe mbi to nuk mund të tregtohet, pasi më pas mund të parashikohen penalitete.
Prej më shumë se dy javësh nga nisja e konfliktit në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës dhe benzinës në vendin tonë ka pësuar vetëm rritje në vazhdimësi.
Gjatë një vëzhgimi të bërë sot (19 mars) në shumicën e pikave të shitjes, çmimi i hidrokarbureve varion nga 199-214 lekë, duke pësuar një rritje prej rreth 9 lekësh për litër krahasuar me të mërkurën.
Ndërsa, krahasuar me nivelin e çmimit në tregun me pakicë para nisjes së luftës, rritja e çmimit të hidrokarbureve është rreth 14% më e lartë.







