Elon Musk ka mashtruar në deklaratat e tij publike gjatë periudhës vendimtare të marrjes nën kontroll të Twittwr-it në vitin 2022, sipas jurisë së Gjykatës federale të San Franciskos.
Pas dy ditë diskutimesh, juria arriti unanimisht në një vendim kundër manjatit të teknologjisë, i cili ishte paditur nga një grup investitorësh të Twittwr-it që argumentonin se ishin mbështetur te deklaratat e tij.
Gjatë dëshmisë në gjykatë më herët këtë muaj, Musk pretendoi se nuk i kishte mashtruar investitorët dhe se njerëzit thjesht kishin interpretuar më tepër sesa duhet komentet dhe postimet e tij publike.
Megjithatë, juria arriti në përfundimin se disa nga pretendimet e tij publike rreth problemeve në lidhje me metrikat e përdoruesve të Twittwr-it, si dhe sugjerimet se mund të tërhiqej nga marrëveshja e blerjes prej 44 miliardë dollarësh, kishin qenë qëllimisht mashtruese.
Avokatët e Musk nuk iu përgjigjën kërkesës për koment. Po ashtu, as avokatët e investitorëve, të udhëhequr nga Brian Belgrave, një sipërmarrës i vogël nga Oregoni.
Kjo nuk është hera e parë që Musk përballet me probleme ligjore për shkak të postimeve të tij. Megjithatë, ai arriti të fitojë një padi të vitit 2023 të ngritur nga aksionerët e Tesla-s, të cilët pretendonin se drejtori ekzekutiv i kishte mashtruar përmes postimeve mbi kompaninë e makinave.
Në vendimin e së premtes, juria e gjykatës së San Franciskos konstatoi se Musk kishte shkaktuar një ulje artificiale të çmimit të aksioneve të Twittwr-it me rreth 8 deri në 3 dollarë për aksion, në periudhën nga maji deri në tetor 2022, për shkak të deklaratave të tij publike.
Kjo mund të nënkuptojë se secili investitor në këtë padi kolektive mund të përfitojë mijëra dollarë dëmshpërblim për humbjet e tyre.
Monte Mann, një avokat i specializuar në çështje tregtare në Armstrong Teasdale, tha se vendimi kundër Musk “dërgon një mesazh të qartë”.
“Nëse lëviz tregun me fjalët e tua, duhet të mbash përgjegjësi për pasojat.”
Rreth majit 2022, Musk filloi të postonte në Twittwr për problemet e supozuara të platformës me llogaritë e rreme, apo “bot”-et, dhe deklaroi se marrëveshja ishte “në pritje”, përpara se të shpallte se dëshironte të tërhiqej plotësisht prej saj.
Twittwr e çoi Musk në gjykatë për ta detyruar miliarderin të respektonte marrëveshjen, dhe në fillim të tetorit Musk e bëri këtë, duke e blerë Twittwr-in me çmimin e rënë dakord fillimisht. Vitin pasues ai e riemërtoi platformën e rrjeteve sociale në X.
Këta muaj rezultuan financiarisht të dëmshëm për investitorë si Belgrave, i cili bleu dhe shiti aksione të kompanisë gjatë asaj periudhe.
Belgrave i tha jurisë më herët këtë muaj se kishte shitur mijëra aksione të Twittwr-it në korrik 2022, duke besuar se Musk nuk do ta blinte më platformën për shkak të postimeve dhe komenteve të tij publike.
Çmimi me të cilin Belgrave i shiti aksionet ishte më i ulët se ai me të cilin i kishte blerë disa muaj më parë, dhe dukshëm më i ulët se 54.20 dollarë për aksion që Musk përfundimisht pagoi.
“Më futën në lojë,” tha Belgrave. “Më mashtruan.”
Gjatë dëshmisë së Musk para jurisë, ai u tregua më konfrontues me avokatët që përfaqësonin grupin e investitorëve.
Në një moment, ai refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve me një “po” ose “jo” të thjeshtë, duke argumentuar disa herë se avokatët po përpiqeshin të mashtronin jurinë.
“Nëse kjo do të ishte një gjyq për faktin nëse kam bërë postime budallaqe, do të thosha se jam fajtor,” pranoi Musk në një moment. /BBC







