Gjergj Përgegaj është 29-vjeçari shqiptar nga Lezha i cili u ekzekutua me armë zjarri në Arezzo, pas një përplasjeje me motive xhelozie.
Sipas mediave italiane, ai u qëllua nga partneri aktual i ish-të dashurës së tij, një 35-vjeçar shqiptar, i cili e gjeti duke biseduar me të renë pasi kishte përfunduar turnin e punës si kamerier.
Gjergji në prill do të festonte ditëlindjen e tij të 30-të, por jeta iu ndërpre tragjikisht. Ngjarja ndodhi në mbrëmje, kur autori, pasi i pa bashkë, humbi kontrollin dhe nxori armën duke qëlluar disa herë në drejtim të tij.
Një nga plumbat e goditi Gjergj Përgegaj në fyt, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme, ndërsa shërbimet e emergjencës nuk mundën të bënin asgjë për ta shpëtuar.
Pas krimit, autori u largua nga vendngjarja, por u arrestua disa orë më vonë nga policia pa bërë rezistencë. Trupi i 29-vjeçarit u dërgua në morgun e spitalit San Donato Hospital, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj vrasjeje me motive pasionale.







