Një pensionist nga Florida është bërë viral në rrjet për shkak të ngjashmërisë së tij me Jeffrey Epstein, duke e detyruar të reagojë publikisht për të sqaruar se nuk ka asnjë lidhje me financerin famëkeq, të përfshirë në disa skandale të rënda.
Burri, i cili prezantohet si “Palm Beach Pete”, ka hapur llogari në rrjetet sociale me emrin “Jo Epstein”, ku ka publikuar një video për të shpjeguar situatën. “Përshëndetje të gjithëve, unë jam Palm Beach Pete dhe videoja ime u bë virale sepse dikush më filmoi aksidentalisht duke ngarë makinën pa e ditur unë”, shprehet ai.
Sipas tij, jeta i ka ndryshuar ndjeshëm pas publikimit të videos, pasi ka marrë një numër të madh komentesh lidhur me pamjen e tij. Në video dëgjohet edhe një person që e pyet: “Pra, nuk je Jeffrey Epstein?”, ndërsa ai përgjigjet: “Unë nuk jam Jeffrey Epstein. Unë jam Palm Beach Pete.”
Në një intervistë për TMZ, pensionisti tregoi se në të kaluarën kishte marrë pjesë në disa evente ku kishte qenë i pranishëm edhe Epstein, por theksoi se nuk e kishte takuar apo biseduar kurrë me të. Ai e përshkroi atë si një figurë misterioze, për të cilën shumë njerëz nuk e dinin burimin e pasurisë.
“Jam një djalë i zakonshëm, në pension. Kam jetuar këtu për një kohë të gjatë, më pëlqen të luaj tenis dhe jam shumë shoqëror”, u shpreh ai. Ndërkohë, llogaria e tij e re në Instagram ka fituar mijëra ndjekës brenda një kohe shumë të shkurtër.







