Jo të gjithë ishin dakord me parullën “bashkëvuajtës e bashkëfajtorë” në fillimet e pluralizmit politik në Shqipëri. Një debat për ligjin për partitë politike dhe nxjerrjen jashtë ligjit të Partisë Komuniste, që kishte mbajtur Shqipërinë 50 vjet në diktaturë, do të rihapte debate për fajtorët dhe viktimat e kësaj periudhe.
Elita politike e dalë prej diktaturës do të nxitonte të artikulonte parullën që synonte të dukej paqen sociale, por që historia dëshmoi se rezultati ishte krejt e kundërta. Arben Imami, një prej themeluesve kryesorë të PD-së, në atë kohë deputet i kësaj partie, mbajti një qëndrim të qartë dhe të prerë duke u distancuar qartazi nga parulla në fjalë. Për Imamin nuk mund të kishte bashkëfajtorë në një regjim gjakatar si ai i diktaturës komuniste, por kishte qartazi një ndarje sipas së cilës: “Nuk ka bashkëfajtorë në Shqipëri, por ka njerëz që janë viktima të diktaturës, ashtu siç ka dhe ideatorë e ekzekutorë të saj. Nuk jam për atë që quhet pajtim, sepse nuk ka mundësi pajtimi midis xhelatëve e viktimave”, thotë Imami.
Debati do të vazhdonte për shumë orë dhe secili do të thoshte fjalën e tij sipas pozicionit politik. Natyrisht deputetët e PS-së nuk mund të dilnin kaq hapur kundër Partisë Komuniste dhe këmbëngulnin në paqen sociale dhe në qëndrime tolerante. Ndër ta ishin edhe deputetët e rinj Pandeli Majko e Ilir Meta, të cilët sigurisht ishin shumë dakord me parullën “bashkëvuajtës e bashkëfajtorë” e artikuluar edhe nga lideri i kohës Sali Berisha. Koha tregoi se xhelatët nuk u ndëshkuan. Askush nuk u përball realisht me ligjin për krimet e kryera. Përkundrazi, shumë prej tyre u rehabilituan dhe u rikthyen në institucionet shtetërore, deri në nivelet më të larta të qeverisjes, madje edhe në sallën e Kuvendit. Nuk pati pengesa për të konsoliduar pushtetin politik e as atë ekonomik. Parulla “bashkëvuajtës e bashkëfajtorë” u bë praktikë gjatë gjithë tranzicionit duke i shërber pikërisht atyre që duhej të përballeshin me drejtësinë. Sepse historia nuk u përmbys: xhelati mbeti xhelat dhe viktima mbeti viktimë.
Arben Imami – Zoti Kryetar, është shumë e vështirë që të flasësh vetëm 2 minuta për një problem të tillë. Unë duke ju kujtuar rregulloren ku është parashikuar që deputeti kur flet me një procedurë të shkurtuar duhet të flasë dy të tretat e kohës, pra na bie të flasim rreth 6 minuta.
Jam parimisht plotësisht dakord me projektin e paraqitur për arsye se partitë totalitariste kudo nëpër bote kane pasur dhe kane pasur qëllime antikushtetuese. Nëse është një parti ose tjetër me të tilla qëllime dhe konkretisht sot po diskutohet për Partinë Komuniste të cilat me të marrë pushtetin me rrugë parlamentare të zhdukin partitë e tjera. Kështu nga kjo pikëpamje veprimtaria e qëllimet e këtyre partive janë antikushtetuese, antipluripartiake, ndërkohe që pluripartizmi është një nga gurët e themelit të shoqërisë tonë demokratike.
Unë jam i mendimit që kjo të bëhet sa me shpejt për arsye se të gjithë kemi të drejtën morale ndaj marksizëm-leninizmit, ndaj kësaj doktrine e teorie e cila u realizua në mënyrë kriminale në Shqipëri. Në Shqipëri me në fund duhet vënë drejtësi, duhet të ndahemi një herë e mirë me të kaluarën e për të vendosur drejtësinë në Shqipëri. Nuk jam për atë që quhet pajtim, sepse nuk ka mundësi pajtimi midis xhelatëve e viktimave.
Unë jam i mendimit se në mund të arrijmë paqen sociale, por nuk mund të ketë paqe sociale pa u vendosur drejtësia në Shqipëri, nuk ka paqe sociale pa gjetur komunizmi vendin e tij në Shqipëri, nuk mund të bëhet paqja pa u mbaruar lufta. Në emër të drejtësisë e paqes shpesh shkelet drejtësia dhe po të vazhdojmë kështu nuk do të bëjmë gjë tjetër veçse do të krijojmë çekuilibër psikologjik në rang kombëtar.
Prandaj, të bëjmë ç’kemi për të bërë e ta mbyllim që mund të ecim përpara. Për mua drejtësia është baras me paqen e për këtë do të kërkoja jo vetëm daljen e Partisë Komuniste nga skena, por gjyq politik për bllokmenët me në krye Ramiz Alinë.
Mendimi im është që nuk ka bashkëfajtorë në Shqipëri, por ka njerëz që janë viktima të diktaturës, ashtu siç ka dhe ideatorë e ekzekutorë të saj.
Gjithashtu, mendoj që të bëhen edhe gjyqe për krimet që janë bërë gjate këtyre 50 vjetëve. Në radhë të parë, duhet të japim në shembullin duke futur para gjyqit politik ata njerëz të cilët 50 vjet kanë shfrytëzuar pushtetin për krime politike dhe që sot bredhin rrugëve megjithëse, kane vrarë e kanë persekutuar në mënyrë të vazhdueshme njerëz.
E dyta, jam i mendimit se duhet të zbërthehet ngjarja e grushtit të shtetit të shkurtit 1991 në Shkollën e Bashkuar dhe e gjithë lëvizja enveriste-komuniste, staliniste për krijimin e frontit të jugut.
E treta, të hapen dosjet e pushtetarëve për të cilën kemi rënë dakord.
E katërta, të gjenden zgjidhja për të gjithë mafien e kuqe, për të gjithë atë shtresë të larte burokratësh komuniste të cilët sot po ngrëne një pushtet ekonomik të cilët moralisht nuk e meritojnë dhe pa u vendosur drejtësia me këtë grup social është e pamundur të gjejmë drejtësi në rang kombëtar.
E pesta, rehabilitimin social dhe integrimin e të gjithë të persekutuarve në shoqërinë tonë, sikurse dhe atyre luftëtarëve të shquar për demokraci gjatë këtyre 50 vjetëve.
E gjashta, t’u kthehen pronat ish pronarëve dhe në qoftë se nuk bëhet kjo nuk do të kemi drejtësi, nuk do të kemi stabilitet.
Pra, mbi këtë bazë, mbi këtë platformë unë votoj për heqjen, ndalimin e Partisë Komuniste, enveriste, polpotiste etj.
Pjetër Arbnori – Do t’iu ndërpres fjalën se kaloi koha.
Arben Imami – Të lutem, edhe 30 sekonda.
Vetëm një shoqëri e civilizuar do të na japë një koalicion kombëtar të nevojshëm që na duhet sot për shndërrimin e sistemit
Ilir Meta – Shoqëria shqiptare po përjeton një transformim demokratik i cili nuk mund të pretendohet se është i plotë, sepse ka vetëm dy vjet që ka nisur. Në këtë aspekt dhe partitë politike si pjesë intervale të kësaj shoqërie nuk kanë marrë fizionominë e plotë, prandaj dhe gjykimi nuk është i plotë e kategorik për secilën forcë politike nuk mund të jetë i lehte.
Për sa i përket problemit të Partisë Komuniste unë mbështes Presidentin Berisha, i cili tha që jashtë ligjit duhet të dali ajo që është e paligjshme, n.q.s programi e aktiviteti i ndonjë partie qoftë dhe e kësaj Komuniste është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi të mbahet qëndrim nga Ministria e Drejtësisë, nga Gjykata Kushtetuese e pastaj dhe nga Kuvendi Popullor.
Unë mendoj se antikomunizmi është një kulturë e demokratike, është argumentimi i avantazheve të sistemit demokratik ndaj sistemit komunist dhe për më tepër vërtetimi i këtyre avantazheve në praktike. Mendoj se komunizmi në Shqipëri do të zbehet e do të zhduket sa më shpejt të eci demokracia, sa më shpejt të ecin reformat.
Mendoj se agresiviteti nuk është i nevojshëm, prandaj thashë që ta shikojë Ministria e Drejtësisë, Gjykata Kushtetuese e pastaj Kuvendi Popullor. Këtë e kanë vërtetuar Gjermania, Rusia e Carit, Spanja, Franca, ku me metoda të tilla e nxit komunizmi. E kundërta ndodhi në Angli kur me kulture demokratike e sfiduan komunizmin e pothuajse nuk e njohin fare.
Pandeli Majko – Duke dëgjuar deputetin parafolës dëshiroja t’i bëja të ditur parlamentarëve një program një parti republikane shqiptare që qenka në Boston, meqenëse ky ligj ka të bëjë me partitë totalitare.
Në një pikë të tij thuhet që të vriten në çdo katund, fshat e qendër pune ish anëtarë të Partisë Komuniste.
Pjetër Arbnori – Zoti Majko, nuk është parti shqiptare ajo po është parti në SHBA. dhe konkretisht nuk ekziston.
Pandeli Majko – Kishte të bënte me qëndrimin e partive të majta e të djathta që e ngriti dhe përfaqësuesi i PSD-së.
Përcaktimi i ligjit sipas relacionit ka të bëjë me nxjerrjen jashtë ligjit të ideologjisë komuniste e cila sundoj 40 vjet në vendin tonë duke shkelur të drejtat flagrante të drejtat njerëzore e politike të mbarë shqiptarëve.
Unë nuk e kuptoj fjalën nxjerrje jashtë ligjit të Partisë Komuniste që punon për diktaturën e proletariatit luftën e klasave që sollën aq vuajtje në vendet evropiane dhe kësaj partie që aspiron për marrjen e pushtetit me dhunë e me armë. Mendoj se kjo parti që aspiron luftë klasash apo marrje të pushtetit me dhunë ajo duhet të nxirret pa asnjë hezitim nga skena politike.
Për sa i përket Partisë Komuniste Shqiptare nuk kam dijeni se si e kane programin, sepse për fat të mirë nuk kam qenë asnjëherë anëtar i Partisë Komuniste.
Mendoj se n.q.s ka parti që mendon për luftë klasash e marrje të pushtetit me dhunë nuk duhet të ekzistoje. Dua që ky Parlament të bëhet i vetëdijshëm që komunizmi ose çdo ideologji tjetër bëhen të pavlefshëm nga votat e popullit siç që rasti i 22 Marsit, i cili nuk lejoj që në këtë Parlament të hynte Partia Komuniste. Demokracia nuk mund të pajtohet me veprimet e ngjashme me ato që përdori shteti i diktaturës së proletariatit për të larë hesapet me kundërshtarët e tij. Forca e demokracisë qëndron në tolerancën dhe fuqinë e ligjit, të cilat e kanë treguar veten.
Mendoj se Kuvendi Popullor për periudhën që po përjeton vendi ynë duhet të ngrejë një komision të posaçëm i cili të shqyrtoj programet e të gjithë partive shqiptare me qëllim që kur ky Parlament të thotë fjalën e fundit çdo gjë të jetë e qartë dhe e argumentuar. /Përgatiti Luljeta Progni







