Kjo javë do të dominohet nga mot i paqëndrueshëm, ku në zona të caktuara nuk do të mungojnë as reshjet e shiut, sipas sinoptikanëve.
“Parashikohet që të martën të kemi reshje në jug dhe juglindje me intensitet të ulët, ndërprerje të mërkurën dhe rikthim të enjten dhe të premten. Nga e enjtja, e premtja dhe fundjava do të kemi reshje më të dendura”, tha sinoptikania Lajda Porja nga MeteoAlb.
Nga ana tjetër, edhe temperaturat do të pësojnë luhatje në vlerat e tyre minimale, duke mos përjashtuar reshjet e dëborës në fundjavë.
“Vlerat termike, mbyllet muaji mars me temperatura më të ulëta. Aktualisht termometri shënon 1 gradë në zonat malore dhe maksimumi16–17 gradë. Presim temperatura rreth 20 gradë të enjten dhe në fundjavë rënie temperaturash. Fundjava do të sjellë reshje dëbore në zonat malore”, shtoi Porja.
Pavarësisht pranisë së rrezeve të diellit herë pas here, moti do të jetë kryesisht i freskët në ditët në vijim, theksojnë sinoptikanët.







