Këtë incident, autoritetet e kanë cilësuar si “plotësisht të shmangshëm”
Një ngjarje tragjike ka ndodhur në një kantier ndërtimi në zonën e Acton-it, në Londrën Perëndimore, ku 19-vjeçari Renols Lleshi humbi jetën pasi ra nga një lartësi prej gjashtë katesh në një bosht ventilimi.
Këtë incident, autoritetet e kanë cilësuar si “plotësisht të shmangshëm”. I riu po punonte në katin e 12-të të një ndërtese banimi pranë Ark Soane Academy në korrik të vitit 2023, duke ndihmuar në heqjen e skelave në kopshtin në çati, kur aksidentalisht shkel mbi një mbulesë të pasigurt ventilimi dhe bie në boshllëk.
Hetimet e kryera më vonë nga autoritetet britanike të shëndetit dhe sigurisë në punë zbuluan se hapësira ishte mbuluar vetëm me një pllakë gipsi dhe material i dobët ndërtimi, një zgjidhje krejtësisht e papërshtatshme për të parandaluar rreziqe të tilla.Po ashtu, u konstatua se zona e kopshtit në çati nuk përfshihej në inspektimet rutinë të sigurisë, duke bërë që rreziku të mbetej i pazbuluar deri në momentin fatal.
Pas këtij rasti të rëndë, kompania punëdhënëse është gjobitur me 42 mijë paund për shkelje të rënda të rregullave të sigurisë në punë.
Inspektorja e çështjes theksoi se rëniet nga lartësia mbeten ndër shkaqet kryesore të vdekjeve në vendin e punës dhe nënvizoi se kjo tragjedi mund të ishte parandaluar lehtësisht me masa minimale sigurie.
Ndërkohë, familja e të ndjerit është shprehur e shkatërruar nga humbja e të afërmit, duke e cilësuar vdekjen e 19-vjeçarit si një tragjedi, që u ka ndryshuar jetën përgjithmonë. /The Sun/







