Meteorologu Hakil Osmani, i ftuar në një lidhje live për ‘Now’ me Esmeralda Mulajn, tha se gjatë kësaj jave, moti në vendin tonë do të jetë kryesisht i paqëndrueshëm me mundësi reshjesh shiu dhe në disa zona malore, edhe dëbore.
Osmani tha se ditën e premte do të rikthehen reshjet e dëborës në zonat malore të veriut dhe kjo situatë do të vazhdojë edhe përgjatë fundjavës.
“Kjo javë, edhe pse dita e sotme nis me mbizotërimin e vranësirave të dendura, përgjatë gjithë 24 orëshit do të kemi vranësira që herë pas here mund të japin momente me pika shiu. Më të dukshme këto rreshje priten të jenë në pjesën e dytë të ditës. Dita e martë sjell përmirësim gradual të kushteve të motit, fillimisht në zonat veriore dhe më pas gjatë pasdites pothuajse i gjithë territori shqiptar do të jetë mbi zotërimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike. Dita e mërkurë dhe pjesa e parë e ditës së enjte do të jenë me intervale të gjata me diell dhe kalime vranësirash. Kthjellimet më të dukshme priten në vijën bregdetare, ndërsa vranësira më të shpeshta në zonat veriore.
Pjesa e dytë e ditës së enjte sjell shtim të vranësirave dhe rritje të lagështisë në ajër, duke bërë që reshjet të jenë prezente fillimisht në zonat veriore, veriperëndimore dhe më vonë në të gjithë territorin. Intensiteti i reshjeve do të jetë i ulët dhe lokalisht mesatar, më i dukshëm në veri. Dita e premte risjell reshjet e dëborës në zonat malore të veriut dhe kjo situatë do të vazhdojë edhe përgjatë fundjavës. Për temperaturat e ajrit, fillimi i javës deri të enjten sjell rritje graduale, me maksimum prej 19–20°C dhe minimum prej 2–3°C në zonat malore. Fundjava sjell rënie të temperaturave, me minimum në -2 deri -3°C dhe maksimum rreth 16°C në zona malore.
Sa i përket rajonit osmani tha se dita e sotme mbetet me mot të paqëndrueshëm dhe reshje shiu në sasira të pakta.
“Dita e martë sjell përmirësim të kushteve atmosferike në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mali i Zi dhe një pjesë të Greqisë, të paktën deri paraditën e ditës së enjte. Më pas, dita e enjte sjell zhvillim vranësirash dhe reshje shiu në këto vende.
Dita e premte dhe fundjava sjellin prezencë të reshjeve dhe dëborës, më të dukshme në Kosovë dhe alternime reshjesh në Maqedoninë e Veriut. Temperaturat e ajrit deri në mesjavë arrijnë maksimum pranë 18–19°C, por pjesa e dytë e javës sjell rënie të ndjeshme: minimumet zbresin në -4°C në Kosovë dhe -3°C në Maqedoninë e Veriut, ndërsa maksimumet nuk do të kalojnë 12–14°C. Era në Adriatik dhe Jon do të fuqizohet në intervale të shkurtra, deri në 55 km/h”, tha Osmani.







