HomePolitikeProtesta e 22 marsit, Krasniqi: Dhuratë e Ramës, PD të mbyllet, të...

Protesta e 22 marsit, Krasniqi: Dhuratë e Ramës, PD të mbyllet, të heqë telefonët dhe të gjejë zgjidhje

Advertismentspot_img

Politologu Afrim Krasniqi ka bërë një analizë pa filtra për protestën e fundit të opozitës, gjatë një interviste në emisionin “Off the Record” në A2 CNN me Andrea Dangllin, duke hedhur dritë mbi efektet reale dhe kufijtë e saj politikë.

Sipas tij, protesta nuk përbën rrezik real për mazhorancën, pasi opozita nuk ofron ende alternativë bindëse.

“Opozita nuk përmbush asnjë nga kriteret që mund të sjellë zgjerim, reformim, ide apo shpresë për të rrezikuar mazhorancën,” u shpreh Krasniqi.

Megjithatë, ai theksoi se protesta ka prodhuar një efekt të qartë në planin ndërkombëtar, duke tërhequr vëmendjen e mediave dhe aktorëve të huaj.

“Efekti kryesor është ndërkombëtar. Kam pasur telefonata nga media perëndimore që pyesin: çfarë po ndodh në Shqipëri, a është ngritur vendi dhe ku po shkon kjo situatë. Pra, ka funksionuar,” tha ai.

Krasniqi e cilësoi protestën si “dhuratë” nga qeveria, madje sipas tij, opozita duhej të kishte reaguar më shpejt pas vendimit të Parlamentit për mandatin.

“Ishte një dhuratë politike. Çdo opozitë në botë duhet të dilte në rrugë menjëherë. U habita pse u vonuan disa ditë”, tha Krasniqi në Off The Record me Andrea Dangllin. 

Por përtej kësaj, politologu ngriti tonin ndaj mënyrës se si po funksionon opozita, duke kërkuar ndryshim rrënjësor në qasje dhe organizim.

Në një moment debati me Spahinë, Krasniqi sfidoi opozitën që të dalë nga retorika dhe të kalojë në ofertë konkrete politike.

“Shpallni qeverinë tuaj! Nuk mund të dalin katër veta dhe të flasin në emër të gjithë opozitës.”

Ai kritikoi ashpër edhe mënyrën e sjelljes në Parlament.

“Mos e bëni Parlamentin qesharak! Ka mekanizma të tjerë politikë dhe institucionalë për të bërë opozitë.”

Një tjetër pikë e fortë ishte kritika ndaj listave zgjedhore dhe mungesës së figurave të reja.

“Me listat e Tiranës na shokuat. Hyni në garë një herë seriozisht, provoni kandidatë të rinj!”

Në fund, Krasniqi dha edhe një mesazh të drejtpërdrejtë për opozitën, duke theksuar nevojën për reflektim dhe koordinim me faktorët ndërkombëtarë.

“Të mbyllen ata dreq celularësh… demokratët duhet të mblidhen, mbyllen dhe të dëgjojnë këshillat e ndërkombëtarëve.”

Analiza e tij vjen në një moment kur opozita po përpiqet të rikthejë energjinë politike përmes protestave.

Sipas Krasniqit, të gjitha zgjidhjet janë mbi tryezë por pa një projekt të qartë politik, çdo mobilizim rrezikon të mbetet vetëm zhurmë pa rezultat.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular