Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Majac të Podujevës të dielën në mbrëmje, ku një burrë dhe një grua kanë humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri, ndërsa edhe vetë autorja e ngjarjes ka ndërruar jetë në spital.
Sipas Policisë së Kosovës, burri, identifikuar si Ilaz Brahimi nga Obiliqi, është gjetur i vdekur brenda një makine të parkuar jashtë një shtëpie.
Brenda banesës janë gjetur dy gra me plagë nga arma e zjarrit, njëra prej tyre autorja 31-vjeçare Ardita Gashi dhe gruaja tjetër, Miradije Gashi 73-vjeçe, e afërme e saj, e cila ka ndërruar jetë disa orë më vonë gjatë trajtimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Po ashtu, ditën e sotme ka humbur jetë edhe vetë 31-vjeçarja pas disa orësh në kujdes intensiv.
Familjarët deklarojnë se Ardita Gashi e cila dyshohet se ishte në lidhje me Ilaz Brahimin, kishte marrë peng viktimën 73-vjeçare, ndërkohë që gjatë sulmit brenda shtëpisë ishin të pranishëm edhe bashkëshortja e djalit të viktimës së moshuar me fëmijët e saj, shkruan Koha.net.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se hetimet intensive për këtë rast janë në zhvillim e sipër, ndërsa motivi i vrasjes mbetet ende i panjohur. Me urdhër të prokurorit, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi.







