Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takime që prej orës 09:00 te “Vila 30”, fillimisht me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari dhe më pas me atë të Drejtësisë, Toni Gogu. Ky i fundit sapo e ka marrë këtë detyrë.
Të pranishëm në takim ishin 3 zëvendësministrat e brendshëm, përkatësisht Xhemal Qefalia, Anisa Ruseti dhe Silva Caka.
Në tryezë, ka qenë edhe Ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo.
“Ai ka një detyrë specifike, do të merret me çështjen e adresave, deleguar nga kryeministri Rama”, bëri me dije gazetarja.
Mësohet se Gogu ka raportuar punën e bërë deri më tani, ndërsa në fokus është nisma ligjore për ndryshimet në Kodin Penal.
Nuk dihen më shumë detaje, ndërsa vlen të theksohet se këtë të martë do të mbahet procesi i intervistimit të 14 kandidatëve për postin e kreut të Policisë së Shtetit. Dëgjesa po mbahen në Ministrinë e Brendshme edhe për drejtorin e Policisë Tiranë.
Takime të kësaj natyre janë rutinë e çdo jave në fakt për kryeministrin, ndërsa pritet të shohim se çfarë do të ndodhë me procesin e zgjedhjes së kryepolicit të ri.







