Në emisionin “Opinion”, ish-deputeti i PD, Ervin Salianji i është përgjigjur një deklarate të kryetarit të PD, Sali Berisha i cili tha se Salianji gjatë kohës që ishte në burg i kishte shkuar për takim dhe i ishte shprehur se për të dalë nga burgu i duhej të deklaronte se nuk do të vriste Fatmir Xhafajn.
Salianji është shprehur se deklarata e Berishës është një gënjështër, por takimi rezulton se është i vërtetë dhe se është realizuar në banesën e kryetarit të PD.
Ish-deputeti tha se ka shkuar në takim me Berishën pasi ka marrë leje nga burgu dhe ka diskutar disa çështje.
“Kjo është një deklaratë frike, frikë nga gara. Ja të them dhe rrethanat e deklaratës, tjetrit kur i shkon në shtëpi… unë kam bërë një takim në shtëpi. Kam bërë një takim kur isha me leje për të bërë diskutime të caktuara. Diskrecioni është pjesë e burrërisë dhe kur tjetri shkon në shtëpi dhe me kanun thotë që kur diskuton në shtëpi ngelet në shtëpi. Unë kam diskutuar në momentin që kam qenë me leje, më është ndaluar leja për 6 muaj me radhë. Mua nuk më birëson dot njeri se me garë i çoj në azil të dy dhe këtë dhe Ramën. Tani, këto biseda janë biseda të shpikura. Është njësoj si të them unë tani, trupa gjyqësore është trupa që i ka dhënë PD vulën dhe Berisha i bëri heronj. Unë mund të futem pastaj edhe si kanë negociuar. Njëra është kunata e Belinda Ballukut kjo që është kryetarja e Gjykatës së Apelit sot. E di kush është konteksti i asaj, meqë ky bëri 10 muaj burg e nuk bëri 12 mos ka bërë ndonjë gjë PS”,-tha Salianji.







