Një formë e re dhe shqetësuese e shpërqendrimit në timon po përhapet me shpejtësi.
Drejtuesit e automjeteve po kalojnë nga dërgimi i mesazheve drejt shikimit të videove në platforma si TikTok dhe YouTube, duke rritur ndjeshëm rrezikun në rrugë.
Rasti i Jackie-t, një 32-vjeçare nga New Jersey, ilustron qartë këtë fenomen. Ajo tregon se gjatë një udhëtimi me Uber drejt një vizite mjekësore, vuri re se shoferi i saj kishte një video të hapur në telefon dhe e shikonte herë pas here gjatë drejtimit.
“Ndihesha e frikësuar dhe në ankth”, rrëfeu ajo për The Guardian, duke shtuar se hezitoi të reagonte nga ndjenja e pasigurisë si pasagjere.
Ky nuk ishte rasti i vetëm. Vetëm disa orë më vonë, ajo përjetoi të njëjtën situatë me një tjetër shofer.
Nga mesazhet te videot
Prej vitesh, fushatat kundër “vozitjes së shpërqendruar” janë fokusuar te përdorimi i telefonit për mesazhe. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se sjellja po evoluon drejt formave më të rrezikshme, si shikimi i videove apo transmetimeve live gjatë vozitjes.
Një rast i fundit në Kaliforni përfshiu një shofer që u përplas me një automjet policie të parkuar, pasi po shikonte video në YouTube dhe nuk vuri re situatën përpara tij. Autoritetet rrugore theksojnë se raste të tilla po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.
Shifra alarmante
Sipas të dhënave të National Highway Traffic Safety Administration, në vitin 2023, 3 mijë e 275 persona humbën jetën si pasojë e shpërqendrimit në timon, ndërsa mbi 300 mijë u plagosën.
Edhe pse statistikat nuk specifikojnë llojin e shpërqendrimit, ekspertët besojnë se përmbajtja video është një faktor në rritje.
Studiuesja Charlie Klauer nga Virginia Tech shpjegon se sjellja e drejtuesve ka kaluar nga mesazhet tek “shfletimi dhe shikimi i përmbajtjeve”, duke përfshirë Instagram, Snapchat dhe TikTok.
Sipas saj, edhe një shpërqendrim prej më shumë se dy sekondash dyfishon rrezikun për aksident.
Të rinjtë më të rrezikuar
Të dhënat tregojnë se drejtuesit e rinj, të moshës 15-20 vjeç, përbëjnë përqindjen më të lartë të aksidenteve fatale të lidhura me shpërqendrimin.
Por fenomeni shtrihet edhe te grupmoshat më të mëdha, veçanërisht deri në mesin e të 20-ave.
Aktivisti Joel Feldman, i cili humbi vajzën e tij në një aksident në vitin 2009, thekson se gjithnjë e më shumë të rinj pranojnë se “hedhin një sy të shpejtë në TikTok” gjatë drejtimit, një sjellje që nuk ishte e zakonshme disa vite më parë.
Rreziku shtohet edhe nga drejtues që krijojnë përmbajtje gjatë vozitjes.
Në një rast tragjik, një grua në SHBA dyshohet se po transmetonte live kur goditi për vdekje një këmbësor. Në një tjetër incident, një streamer në platformën Twitch u përplas me një automjet gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë.
Ligjet dhe teknologjia nuk po mbajnë hapin
Edhe pse shumë shtete amerikane ndalojnë përdorimin e telefonit në dorë gjatë drejtimit, shumica e ligjeve nuk janë përshtatur me realitetin e ri të streaming-ut.
Ndërkohë, pajisjet që mundësojnë shikimin e videove në makinë po bëhen gjithnjë e më të përhapura.
Në mënyrë paradoksale, edhe vetë industria automobilistike ka kontribuar në këtë problem.
Ekranet me prekje janë bërë standard në shumicën e automjeteve moderne, duke detyruar drejtuesit të largojnë vëmendjen nga rruga për të kryer veprime bazë.







