Një histori që duket si skenar filmi ka ndodhur në Changchun, Kinë ku shtatë qen shtëpiakë u bënë viral pasi u arratisën nga një kamion që dyshoht se i transportonte drejt thertores dhe më pas përshkuan rreth 17 kilometra për t’u kthyer në shtëpi.
Sipas raportimeve fillestare, qentë arritën të shpëtonin gjatë transportit dhe, në vend që të shpërndaheshin, qëndruan së bashku duke nisur një rrugëtim të gjatë përgjatë autostradave. Pamjet e publikuara në rrjet i tregojnë duke ecur të organizuar, ndërsa një qen i racës Korgi (Korgi Uellsian i Pembroke) i quajtur Dapang në Kinë udhëhiqte grupin për në shtëpi, duke u kthyer shpesh për të kontrolluar nëse të gjithë ishin pas tij.
Historia u bë menjëherë virale, duke mbledhur mbi 230 milionë shikime, sidomos pasi qentë u panë duke kaluar në trafik, gjë që ngriti shqetësime për sigurinë e tyre.
Sipas një personi që pretendon se ka njohuri për ngjarjen, të gjithë qentë vinin nga i njëjti fshat dhe njiheshin mes tyre, pasi luanin shpesh bashkë edhe para se të zhdukeshin. Pas katër ditësh, ata arritën të ktheheshin në zonën e tyre.
Korgi ishte i pari që mbërriti në shtëpi, duke alarmuar pronarin, i cili më pas nisi kërkimet për qentë e tjerë. Me ndihmën e vullnetarëve dhe përdorimin e dronëve për të kontrolluar zonën përreth, u zbulua se pesë prej qenve ishin kapur nga një fshatar lokal. Pas presionit nga vullnetarët, ai u detyrua t’i lironte.
Ndërkohë, qeni i shtatë, një Sheperd gjerman i quajtur Sibao, i cili ishte i plagosur, nuk ishte kapur. Ai u gjet pranë vendit ku mbaheshin qentë e tjerë, duke qëndruar besnik pranë tyre. Më pas, Sibao u dërgua për trajtim te veterineri.
Megjithëse autoritetet nuk e kanë konfirmuar plotësisht versionin e arratisjes nga kamioni i thertores, historia e këtyre qenve ka prekur publikun në mbarë botën, duke u kthyer në një simbol të besnikërisë, miqësisë dhe instinktit për t’u kthyer në shtëpi.







