HomeKulture“Marsi i marrë” i Bashkim Hoxhës promovohet në marsin e Prishtinës/nga Agim Bajrami

“Marsi i marrë” i Bashkim Hoxhës promovohet në marsin e Prishtinës/nga Agim Bajrami

Advertismentspot_img

Prishtina zakonisht ngjan e ftohtë, në fillim të kësaj stine ,por  këtë herë  mua m’u duk më ndryshe se herët e tjera ,më e ngrohtë dhe më vëllazërore. Edhe përkundër trafikut të zhurmshëm ,lodhjes së rrugës, fakti që kemi ardhur për të promovuar “Marsin e marrë “, të autorit të njohur Bashkim Hoxha së bashku me studentët e degës gjuhë -letërsi shqipe të universitetit Hasan Prishtina dhe këshillin e tij studentor përbërë nga djem e vajza të talentuar dhe të dashuruar mbas vlerave të letërsisë sonë kombëtare , na krijon  ndjesi dhe emocion. Të tillë emocion kanë edhe miqtë tanë artistë të fotografisë artistike, Gëzim Domi dhe Luan Jaupi, që s’ngopen duke shkrepur herë pas here aparatet e tyre fotografikë , shkrimtari dhe  presidenti i shtëpisë së njohur botuese Ura, Xhemë Karadaku “poeti i ri dhe i talentuar Riad Berisha(një nga iniciuesit e këtij promovimi )studentët dhe pedagogët mikpritës.Thuhet shpesh se promovimi i një libri të ri është një festë, për t’u mbajtur mëndja vetëm nga shkrimtari. Në këtë rast kjo ishte një festë për të gjithë ,për autorin dhe lexuesit. Organizatorët kishin kohë që na prisnin ,ndërsa  salla e madhe e leksioneve ,ku do të zhvillohej promovimi i këtij libri ishte e mbushur me studentë dhe pedagogë .Shumë nga studentët e njihnin krijimtarinë e bollshme të Bashkimit. Dikush kishte lexuar” Hotel Ballkanin” ,një tjetër Gruan e shiut ,apo “Heronjtë e viagrës ” . Edhe pse librat e mirë dhe lexuesit dijnë ta gjejnë njeri-tjetrin, heshtja e institucioneve shtetërore të të dy vëndeve tona , përsa i përket qarkullimit të ndërsjelltë të vlerave letraro -artistike ,është shqetësuese .Kjo është një kërkesë imediate ,jo në emër të tekave të një apo më shumë krijuesve ,por të vetë letërsisë sonë të përbashkët .

Studiuesja e njohur ,pedagogia dhe poetesha e njohur Lumnije Thaçi ,u shpreh pa rezerva se botimi i kësaj  vepre  letrare me identitet të qartë dhe potencial të dukshëm artistik, përbën një ngjarje të veçantë në  letersinë e sotme shqiptare. “Marsi i marrë”, për të  është një vepër me kuptim  polisemik dhe  vokacion të fuqishëm. Titulli i gjetur i këtij libri nuk duhet të shihet si një pagëzim metaforik prej së jashtmi , as si gjëndje mendore e shoqërisë , por si shënjim i vendimeve të nxituara ,të alarmit të pashpjeguar dhe reagimeve të tepruara. Subjekti intrigues është i aftë të të fusë në një atmosferë krejt tjetër dhe  në një terrinë krejt logjike ,ku e vërteta dhe sistemet e rrejshme demokratike janë në një luftë të pabarabartë me njëra tjetrën.

Subjekti ndërtohet mbi një premisë ,që tingëllon e zakonshme  dhe njëkohësisht shqetësuese, për të shmangur çdo të papritur ,përzgjidhen individë ,të cilët konsiderohen të papërshtatshëm dhe largohen përkohësisht nga qyteti i tyre.

Do t’i mbanin larg për dy ditë ,aq sa të zgjaste përgatitja ,vizita dhe përfundimi i vizitës ,që do të bënte në qytet kryeministri. Prej këtu fillon edhe zbërthimi i romanit. E veçanta e kësaj vepre është se e vendos lexuesin ,përballë një pushteti të pazëshëm , i cili nuk kërcënon askënd ,nuk shpall armiq ,por e administron frikën ,duke e shndërruar atë në një veprim normal. Parë nga një  këndvështrim i veçantë vepra bën pjesë në tipologjinë e romanit egzistencial ,me ndërtim postmodern  ,ngaqë boshti i saj  nuk i përket zhvillimit linear të ngjarjes ,por përballjes së personazhit me mënyrën e të qenit ndryshe. Në roman postmodernizmin e kësaj studiuese romani e refuzon rrjedhën e paracaktuar të pasojave ,psikologjinë shpjeguese dhe moralin normativ ,por zgjedh një narrativë të përmbajtur ,ku heshtja ,përsëritja dhe cikli i egzistencës zëvëndësojnë vijën e drejtë të rrëfimit. Në këtë kuptim,ai shndërrohet në roman modern në logjikë ,por trashëgon një disiplinë narrative shumë të afërt me ndjeshmërinë moderniste ,të cilën e zhvendos nga kriza egzistenciale ,drejt analizës së pushtetit proçedurial dhe mekanizmave të përjashtimit normal.

Struktura korale e veprës shërben si instrument analitik ,në funksion të idesë. Edhe personazhet nuk ndërtohen si subjekte me trajektore narrativë autonomë ,por si pozicione diskursive brenda një sistemi që i kategorizon si të përshtatshëm ,apo të devijuar. Ata përfaqësojnë forma të ndryshme mospërputhjesh me rendin ,secili prej tyre bart një devijim të vogël ,një tepri shfaqëse ndryshe dhe ca sjellje të çuditshme ,që nuk hyjnë në formularët e mirësjelljes. Tek këta individë ,pushteti zbulon proçesin përmes të cilit shoqëria i formëzon apo i krijon kategoritë e përjashtimit. Nga ky aspekt ata funkdionojnë si simptoma, dhe jo si raste klinike .

Për studiuesin  e  njohur Prend Buzhala ,letërsia e Bashkim Hoxhës ndahet në dy kohë ,në atë të diktaturës , dhe në atë të periudhës së lirisë. Është kjo periudhë, ku Bashkim Hoxha ka njohur një shpërthim të vërtetë në krijimtarinë e tij letrare si tregues sinjifikativ i mundësive dhe hapësirave të mëdha që ofron liria për një krijues me vlera si  ai.  “Marsi i marrë “nuk është një vepër voluminoze, por ka ditur të analizojë dhe të vërë ballë për ballë dy realiteteve të çuditshëm në postdiktaturë normalin.  

Romani është një proces i normave të romanit modern ,strukturuar me episode që shënjojnë  kohët dhe orët kronologjike , bashkon skena dhe rrjedha të shumëfishta. Eshte një procedim i normave të romanit modern. Si një sinops filmi ai bashkon skenat dhe karakterizohen nga disa rrjedha të shumëfishta rrëfimi. Karakterizohet nga një dialog dinamik dhe një radhë e gjatë personazhesh interesante. Autori u ndal gjatë tek personazhi i Harabelës. Veprimet e saj provokuese janë sfida të vërteta të një individi përballë një shoqërie të ngurtë dhe maskiliste siç është kjo e jona. Për studiuesin Buzhala personazhi i Geronit është nga më të realizuarit pasi ai sintetizon rrebelimin e individit përballë pushtetit totalitar dhe të papërgjegjshëm për fatet e qytetarëve të tij.

Botuesi Xhemë Karadaku mbasi foli për disa nga vlerat qenësore të romanit në fjalë theksoi se politika mbi të cilat punon e shtëpisë së tij botuese “Ura “,ka qenë dhe do të mbetet botimi dhe promovimi i vlerave artistike të shkrimtarëve shqipëtarë ,këtej dhe andej kufirit ,pasi sipas tij nuk ka shkrimtarë kosovarë dhe shqiptarë ,por vetëm letërsi kombëtare .

Më tej aktiviteti vijoi me një atmosferë të ngrohtë mbushur me fragmente leximesh nga kjo vepër dhe fjalës përmbyllëse të shkrimtarit Hoxha ,i cili ndër të tjera u ndal tek raporti mes të vërtetës dhe gënjeshtrës si dhe marrëdhëniet e individit me pushtetin e frikës. Aktiviteti i djeshëm tregoi se libri dhe lexuesi i mirë ,nuk janë në krizë me njeri-tjetrin ,përkundrazi . Ata do të vijojnëtë ushqejnë dashuri dhe respekte të ndërsjellta ,në vartësi të gjuhës komunikuese dhe vlerave që shkrimtari do t’iu serviri atyre .Faleminderit Prishtinë ! Telegraf

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular