Rusia ka ndërmarrë sulmin ajror më të madh ndaj Ukrainës brenda një periudhe 24-orëshe që nga fillimi i luftës, duke goditur qytete në mbarë vendin me gjithsej 948 dronë.
Më shumë se 400 dronë u lëshuan vetëm pasditen e së martës, në një sulm të pazakontë gjatë ditës, i cili shkaktoi viktima dhe të plagosur të shumtë në Ukrainën perëndimore. Këto goditje erdhën disa orë pas një sulmi të rëndë gjatë natës, që la të paktën pesë persona të vdekur.
Në Lviv, kryebashkiaku Andriy Sadovyi njoftoi se 22 persona janë plagosur dhe paralajmëroi se numri i të lënduarve mund të rritet. Kreu i rajonit, Maksym Kozytskyi, bëri të ditur se manastiri Bernardine, një monument i shekullit XVI i mbrojtur nga UNESCO, ka pësuar dëmtime. Një video e publikuar nga autoritetet lokale tregon një zjarr që përfshin çatinë e një ndërtese banimi pranë manastirit.
Edhe tre qytete të tjera në perëndim të vendit, Ivano-Frankivsk, Vinnytsia dhe Ternopil u vunë në shënjestër të sulmeve.
Drejtuesja e rajonit të Ivano-Frankivsk, Svitlana Onyshchuk, tha se dy persona kanë humbur jetën, ndërsa katër të tjerë, përfshirë një fëmijë gjashtëvjeçar, janë plagosur. Në qytet janë dëmtuar disa ndërtesa, përfshirë edhe spitalin e lindjes.
Në Vinnytsia, një person u vra dhe 11 të tjerë u plagosën gjatë sulmeve të pasdites së së martës (24 mars).
Edhe pse katër vite luftë kanë prekur pothuajse çdo cep të Ukrainës, rajonet perëndimore janë goditur më rrallë dhe me më pak intensitet krahasuar me zonat pranë kufirit rus në lindje.
Zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës, Yurii Ihnat, deklaroi se një numër i madh dronësh hynë në hapësirën ajrore të vendit nga veriu, duke lëvizur në formacione të organizuara.
“Shtrirja gjeografike e sulmeve gjatë ditës ishte më e gjerë sesa gjatë natës… Mund të thuhet se ky ishte një nga sulmet më të mëdha brenda një periudhe 24-orëshe”, tha ai.
Katër vite pas nisjes së pushtimit të plotë nga Moska, lufta vazhdon pa ndërprerje, me sulme pothuajse të përditshme ndaj qyteteve ukrainase.
Ndërkohë, autoritetet ruse njoftuan se në rajonin e Kurskut një person humbi jetën dhe 13 të tjerë u plagosën si pasojë e një sulmi me dron nga Ukraina ndaj një ndërmarrjeje bujqësore.
Bisedimet e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara për arritjen e një marrëveshjeje paqeje kanë ngecur që nga fillimi i sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit në fund të shkurtit.
“Mes lajmeve që e mbulojnë botën çdo ditë, nuk do të lejojmë që dhimbja e Ukrainës të humbasë apo të shndërrohet në një statistikë tjetër, në një titull që kalohet pa vëmendje”, shkroi në rrjetet sociale Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska.







