Nga Emi Krosi
Një roman për/mbi dilemat e shtetbërjes. Një roman ku sendërtohet njeriu që fsheh të kaluarën dhe manipulon të tashmen duke ndërtuar të ardhmen mbi rrënojat e kalbësirës shtet/pushtet, përmes frikës së pushtetit. Nuk është vetëm një sagë. Është një rrëfim, sesi njeriu lind i mirë dhe i lirë, por në rrugëtimin e tij, kthehet ose në skllav ose në djall.
Romani lexohet vertikalisht (unë e njoh që në dorëshkrim është djali i suksesshëm i shkolluar në Amerikë Skënder Dreni) që ka kulturë politike dhe bën fushatë të “moderuar” dhe fiton madje bëhet ministër. Në këtë linjë është një rrëfim i bukur.
Por, në rrafshin horizontal, romani ka nënshtresa të personazheve psikologjikë ( Skënder Dreni alias Marjan Boja,që ka fshirë të shkuarën, ka ndërtuar të tashmen dhe projekton të ardhmen si Ministër, mbi rrënojat e një shteti dhe drejtësie të kapur nga krimi dhe bandat, që e njeh mirë. Ai është vetë krimi. Korrupsioni. Vrasësi. Narkoshteti. Por, drejtori i përgjithshëm i policisë, dyshon dhe “heton” sjelljen e Ministrit. Zëri dhe gjestet i dukeshin të njohura. Por, kujtesa nuk i bindej. Ai, kapërcen kohën dhe kujton betejën me Prokurorin e vrarë, kundër Marjan Bojës dhe heton….heton bashkë me rrezikun dhe frikën e komplotit kundër tij. Po në fshehtësi, ia kumton kryeministrit dyshimet e tij.
Po ta lexosh në thellësi, autori padashur, na jep disa dimensione të kohës dhe botës shqiptare:
– arkitektura dhe qenësia e Tiranës si metropol, ku hapsirat janë shumë të ngushta dhe dominon betoni dhe kullat,
– realiteti i polarizuar politiko-social- shoqëror i shoqërisë tonë realisht ( sidomos në situata zgjedhjesh),
– dominimi i strukturave të krimit në radhët e policisë dhe lidhja me grupet kriminale dhe narkotrafiqet,
– situata e njeriut të ndershëm që “lufton” me vetëvetën dhe ndërgjegjen qytetare të lirë, për një shtet demokratik.
Jo më kot Arstoteli ka thënë: “se njeriu është kafshë politike” dhe kjo “kafshë politike” sakrifikon dhe vetëveten për pushtet. Skënder Dreni, pra Marjan Boja, nuk e harron prejardhjen. Politika, është trashëgimi. Ajo duhet të jetë shtojcë e “baballarëve” të regjimit, si produkti i tij, që është Skënderi.
Është një roman që lexohet me një frymë. Aty ka ankth. Dilemë. Frikë. Kohë. Histori. Ndërgjegje. Përgjegjësi. Peshë. Kërcënim. Pushtet. Fuqi. Fshehtësi. Mirëllogaritje. Mirëorganizi. Qëllim. Strategji. Mision. Urrejtje. Neveri. Absurd. Errësi. Pabesi. Arratisje etj. Mënyra e arratisjes së Marjanit të shndërruar në Skënder, është një përshkrim sa real aq dhe surreal. Metamorfoza njerëzore, që tejkalon çdo fantazi ( si në filma apo romanet triller) të bën të besosh, se fuqia e parasë/pushtetit/ shtetit e bën njeriun Zeus, njëkohësisht dhe Cerber, kurse urrejtja e kthen atë në Ugolin.
sëfundmi: një libër nuk është luks. Koha e leximit është luks, sepse përtej “luksit” real, koha është diamanti më i çmuar për të kuptuar se demokracia dhe shteti nuk janë një, por rivalë. Libri na mëson të pastroheni nga “helmi toksik” i politikës dhe militantizmi partiak, sepse politika është art, kurse demokracia është pushtet i popullit.







