Autoritetet italiane po hetojnë kompanitë kozmetike Sephora dhe Benefit Cosmetics për përdorimin e të ashtuquajturave “strategji të fshehta marketingu” për të shitur produkte bukurie tek vajzat e reja, një praktikë që mund të nxisë një obsesion të dëmshëm ndaj kujdesit të lëkurës.
Autoriteti Italian i Konkurrencës njoftoi se po shqyrton promovimet për produkte të kujdesit të lëkurës, si maska fytyre, serumet dhe kremrat anti-plakje, të cilat në disa raste duket se synonin vajza nën 10 vjeç.
“Këto praktika lidhen me fenomenin më të gjerë, një obsesion për kujdesin e lëkurës tek të miturit”, tha autoriteti.
Markat e kozmetikës, të cilat të dyja janë pjesë e grupit francez luksoz LVMH, duket se kanë përdorur një “strategji marketingu veçanërisht të dëmshme”. Kjo përfshinte përdorimin e “mikro-influencuesve shumë të rinj që nxisin blerjen kompulsive të kozmetikës tek të rinjtë, një grup veçanërisht vulnerabël”.
Hetimet u hapën nga shqetësimi se informacione të rëndësishme si paralajmërimet dhe masat paraprake për produktet kozmetike që nuk janë të përshtatshme ose të testuara tek të miturit mund të jenë anashkaluar ose të paraqitura në mënyrë të gënjeshtërt.
Edhe pse nuk është e paligjshme të shiten këto produkte tek të miturit, autoriteti paralajmëroi: “Përdorimi i shpeshtë dhe i kombinuar i një gamë të gjerë kozmetike nga të miturit, pa ndërgjegjësim të duhur, mund të dëmtojë shëndetin e tyre.”
Grupi LVMH deklaroi se ai, së bashku me Sephora dhe Benefit, do të “bashkëpunojë plotësisht me autoritetet”, por nuk bëri komente të tjera. “Të gjitha kompanitë riafirmojnë përputhshmërinë e rreptë me rregulloret italiane në fuqi”, shtoi grupi.
Autoriteti shtoi se inspektorët e tij, me ndihmën e policisë financiare italiane, kryen kontrolle në ambientet e Sephora Italia dhe zyrave të tjera të LVMH të enjten e kaluar.
Markat luksoze të bukurisë, të drejtuara kryesisht tek gratë, kanë fituar popullaritet të madh mes përdoruesve shumë të rinj të rrjeteve sociale, duke krijuar një fenomen të quajtur “Sephora kids”, një term që përshkruan lidhjen e fortë mes fëmijëve para-adoleshentë dhe produkteve të kozmetikës së shtrenjtë.
Ky trend nxitet nga përmbajtja e kujdesit të lëkurës e krijuar nga influencues të rinj të bukurisë shumë prej të cilëve janë vetë të mitur ose adoleshentë. Aplikacionet si TikTok dhe Instagram janë plot me video të vajzave të reja që flasin për kujdesin e lëkurës dhe make-up-in.
Sephora më parë ka kërkuar të distancohet nga ky trend. Artemis Patrick, shefe ekzekutive e Sephora North America, deklaroi në një intervistë në 2024 se “ne nuk bëjmë marketing për këtë audiencë.”
Trendit i është kundërvënë komuniteti i dermatologëve, të cilët argumentojnë se fëmijët nuk kanë nevojë për produkte bukurie dhe se fokusimi i hershëm tek pamja mund të shkaktojë ankth mbi lëkurën e tyre. Lëkura e fëmijëve është më e ndjeshme, dhe ekspozimi ndaj kimikateve të panevojshme rrit rrezikun e irritimit dhe sensibilizimit më vonë.
“Kozmetikoreksia” i referohet obsesionit për të arritur një lëkurë “të përsosur”, që mund të çojë në përdorim të tepruar, të papërshtatshëm për moshën ose kompulsiv të produkteve kozmetike.







