Ethet e finales së Play-Off-it për Kupën e Botës mes Bosnje Hercegovinës dhe Italisë kanë përfshirë mbarë vendin, por në qytetin e Zenicës situata ka kaluar çdo parashikim. Me stadiumin “Bilino Polje” plotësisht të shitur (15,600 vende), tifozët që mbetën jashtë po bëjnë cmendurinë e radhës.
Banorët e pallateve që rrethojnë stadiumin kanë gjetur një minierë ari. Duke qenë se dritaret dhe ballkonet e tyre ofrojnë një pamje të qartë të fushës, ata kanë nisur t’i japin ato me qira për natën e 31 marsit. Çmimet kanë thyer çdo rekord: 500 euro për një vend në ballkon!
Kjo shifër, e cila i kalon edhe çmimet e tribunave më luksoze, tregon dëshirën e madhe të tifozëve boshnjakë për të parë nga afër këtë përballje historike. “Është atmosfera e jetës sonë. Stadiumi është i vogël, kërkesa është gjigante, ndaj ballkonet tona janë zgjidhja e fundit,” shprehen banorët lokalë për mediat vendase.
Ndeshja do të luhet nesër në orën 20:45 dhe pritet që rreth stadiumit të ketë më shumë njerëz në ballkone e tarraca sesa brenda në shkallët e “Bilino Polje”.







