HomeKultureRrëfimi i Moza Ahmetit: Si u njoha me Edi Ramën pas AUTOPORTRETIT...

Rrëfimi i Moza Ahmetit: Si u njoha me Edi Ramën pas AUTOPORTRETIT që realizova me gjoksin jashtë

Advertismentspot_img

Moza Ahmeti –  Autoportreti i një piktoreje në rreshta* 

Zhvillon një stil të vetin në pikturë, hap ekspozita dhe bëhet pjesë e një rrethi të gjallë artistësh e intelektualësh në vitet ’90, periudhë e karakterizuar nga liria dhe eksplorimi krijues. Përmes sfidave sociale, politike dhe personale, përfshirë trazirat e vitit 1997 dhe ndryshimet globale, ajo vazhdon të krijojë në Shqipëri dhe Europë, duke ndërtuar një identitet të shumanshëm artistik. Rrëfimi i Mimoza Ahmetit  mbi artin si proces i vazhdueshëm njohjeje dhe riprezantimi të vetes dhe realitetit: 

Në fund të viteve ’80, Tirana ishte në kulmin e vet si qytet klasik. Sheshi dhe bulevardi kishte një vijim të pandërprerë dhe shtrirja e tyre e hapur i jepte perspektivë ecjes dhe ëndërrimit. Kam qenë duke kaluar në sheshin “Skënderbej”, mbi pllakat e vogla harkore italiane që hapeshin si fishekzjarrë gri, të cilat metropoli i zdrugu, kur sytë e mi panë atë afishe lajmëtare, që thoshte se Besim Golemi kishte hapur një ekspozitë impresioniste, në katin e sipërm të ndërtesës së Bibliotekës Kombëtare, krah Operas.

Më tërhoqi emri i piktorit dhe vendosa të lë linjën horizontale e të ngjitem në katin e tretë të godinës,  prej mermeri. Mbaj mend që pikërisht aty, ose në hyrje të saj, ka qenë me vite pastiçeria moderne e Tiranës ku mund të haje tortat më të mira të jetës, ndërsa shijoje nga dritaret sheshin, dritat dhe heroin kombëtar.

Holli i pikturave ishte gjigand, improvizuar enkas për ekspozim pikturash; menjëherë ndjeva një riplanim të spektrit shikimor që u hap për të fytyruar ato kompozime ku shfaqeshin portrete, kuaj, transformime jete, me guxim.

Në të majtë të hollit dallova një figurë të gjatë, diçka midis një prifti dhe një dinozauri; ky ishte vetë Besim Golemi. Sakaq u shfaq aty, ose ishte aty, me thekët e gjatë të flokëve lisho dhe të një veshje po lisho, Ornela Vorpsi. Për ne të tre, ky ishte edhe takimi i parë, krejt rastësor. Unë dhe Besimi ndenjëm gjatë aty mes pikturave, ku filloi edhe ajo miqësi e çuditshme për të cilën do të shkruaj një tjetër kapitull.

Para se të nisej në emigrim, në Gjermani, ai erdhi disa herë në apartamentin ku jetoja asokohe te Rruga e Durrësit, me Aurelin. Besimi vinte e shkonte në Fier, ku edhe jetonte.

Më kishte bërë edhe një portret, që e ruaj edhe sot e kësaj dite, edhe kur u transferova e mora.

Aureli ishte zakonisht indiferent, plot impenjim me botën e tij të përkthimeve dhe zbulimeve letrare. Besoj ka qenë pra, pikërisht para ikjes në Gjermani, kur Besimi më la një seri nga bojërat e tij, furça dhe kanavace dhe më tha: “Përdori!”.

Ndërkohë që Besimi iku në Gjermani, unë u emërova shkrimtare në profesion të lirë në Lidhjen e Shkrimtarëve, ndërkohë ndërrova shtëpi, kisha lindur njëra pas tjetrës dy vajzat dhe jetoja tani me Enonin, aty te Selvia.

Këto ndryshime të rrufeshme në jetën time u shoqëruan me zhvillime të perceptimit dhe të shqisës, në mënyrë kaq të ndërlikuar, për mirë. Kontakti trupor me fëmijët e sapolindur, dashuria fizike e gruas dhe mëmës, e kthyen jetën time nga një krijesë intelekti në një lumë jete.

Më kujtohet se Enoni e shndërroi dhomën tonë ku rrinim, sidomos oborrin, në një mjedis telajosh dhe unë pikturoja me ndjeshmëri pa pasë marrë studime, në këtë fushë. Eno ishte një gruntier i jashtëzakonshëm i telajos. Njihte parametrat në mënyrë të shkëlqyer. Kishte hiperndjeshmëri. Dhoma jonë e varfër bëhej përditë nga ngjyrat e pikturave, më e bukur. Ishim aq të rinj dhe fëmijët e vegjël, aq të bukur. Ishim familja më e bukur,  që ndonjëherë në botë ka ndodhur.

Të gjithë që e vizitonin këtë familje të re donin të jetonin me të, domethënë me ne. Nëse do të kishim kushte,  ndoshta ne do t’i kishim pranuar: do të kishim familjen më të madhe në botë, pra po të pranonim dëshiruesit për t’u shtuar, sa herë vinin.

Ne kjo na dukej diçka sa e mrekullueshme aq dhe jashtë mundësive, sepse për të pranuar gjithë njerëzimin në familjen tënde, duheshin së pari edhe kushte psikologjike. Ne e kishim dispozitën, megjithatë. Por mungonte realiteti, sepse realitetin nuk e bëjnë dot dy njerëz, as tre…Por realiteti nuk i harron ata dy njerëz, as dispozitën e tyre. Kjo është dhe mrekullia midis numrit dhe realitetit. Nejse…

Portreti i parë në vaj që kompozova ishte vetë Enoni. Kishte diçka nga ikonat mesjetare në atë kompozim. E çuditshme kjo. Pastaj bëra portretin e motrës së tij, një personazh kjo…sa infantil aq dhe i koklavitur.

Autoportretin e bëra me gjoksin jashtë, nuk ishte aspak sensual, por Eno më këshilloi t’i vija një perde të vogël pjesës së gjoksit, pasi babai i tij, domethënë vjehrri im, mund të revoltohej. Unë i thashë se kjo ishte absurde, pasi ai ishte njeri modern, aq më tepër ishte shkrimtar disident, por më në fund e dëgjova: bëra si tha ai, i vura pikturës një perdushkë të vogël mbi pjesën e gjoksit dhe ajo u bë shumë interesante.

Rrëfimi i Moza Ahmetit: Si u njoha me Edi Ramën pas AUTOPORTRETIT

Vjehrri e pa pikturën. “E bukur”-tha- “po nuk i ngjan Mozës”. E kishte fjalën për mua!

Pas disa javësh e hoqa perdushkën, sepse nuk kishte më kuptim. Por u habita kur vjehrri bërtiti: “Nuk lejoj, në shtëpinë time, që nusja të pikturohet me gjoksin jashtë!”

Po ti, nga gjoksi e njohe?- e pyeti Eno të atin. Të gjithë ia plasëm së qeshurës pas kësaj batute.

Pikturova shumë kompozime të tjera, nudo, gjithmonë abstrakte dhe pak nga pak seria po rritej, po krijohej lëndë për një ekspozitë.

Rasti e solli që pikërisht në atë periudhë të njihja Agron Bregun, një talent europian në pikturën tonë,  midis asaj kohe grizë me pak ngjyra embrionesh në çelje.

Pastaj u njoha me Edi Ramën dhe pikturat e tij. Ai kishte një determinim ndryshe nga njerëzit që kisha njohur. E adhuronte sublimen. Ndërkohë, Ornela më vizitonte shpesh në apartament. Ajo pikturonte etyde shumë të bukura,  të cilat ia kërkonte shkolla. Më bënte përshtypje precizioni dhe ngjyrat, në pikturën e saj. Mbaj mend një kanistër me vezë.  E përsosur ajo! Pastaj disa portrete aq të bukur që më bëri në vaj, për të cilat edhe pozova. Gjithsej tre. Por nuk e di ku janë. S’i kam parë më. Më vjen keq, nëse kanë humbur.

Edhe poetë të rrallë si Hatibin, Zekthin takova. Ishin si burime të freskët. Më vizitonte ndonjëherë edhe Belliu i buzëkuqeve, poeti. Ai vinte me një pako buzëkuqesh e më lutej të zgjidhja një, dhuratë. I gjithë ky network i brishtë kishte diçka shumë të fuqishme brenda- talentin, rininë, bumin e riprezantimit të botës, fizikisht dhe shpirtërisht. Vëmendja publike ishte e fokusuar drejt nesh. Politika nuk ishte në skenën e ditës,  siç ndodh sot. Ajo kishte lozhat dhe kulisat e vet. Arti mbante skenën e ndërgjegjes gjallë, megjithëse kjo e fundit si edhe arti, ishte subjekt i survejuar prej politikës. Politika pra, ruante opacitetin, ndërsa mediat as që mund të mendohej t’i bënin karshillëk politikës, siç ndodh sot, që ti voton dhe media përfaqëson. Por, le të kthehemi te piktura…

Në vitin 1994 hapa ekspozitën e parë në Galerinë Kombëtare të Arteve, e cila u prit me shumë kërshëri dhe pati madje edhe kritika të ashpra ndaj saj, për dekadencën dhe deformimin e fizionomisë.  Kritika që unë nuk i ndjeva fare, pasi jetoja në qiellin e nëntë të krijimtarisë.

Mbaj mend që pikturat pothuajse u shitën të gjitha. Ishin  kryesisht të huajt që i blinin; ata vinin për të parë Shqipërinë, këtë vend që kishte jetuar vrimën e zezë për gjysmë shekulli dhe tashmë ky planet kaq dobët e i komentueshëm, i faqosur me një nocion sa të pakapshëm aq dhe mizor: vend ish komunist!

Unë gjithmonë kisha jetuar në unin tim. Për mua,  komunizmi ishte thjesht çështje piketimi. Nuk arrita të programohem dhe as të merrem me të. Më dukej krejt nonsens. Kaq mjaftonte.

Mbaj mend që një nga pikturat u shit 800$. Ishte kompozim portreti i një zvicerani,  që kishte ndenjur dy javë në shtëpinë tonë. E bleu një anglez. (Më tha se do e vinte në kuzhinë, ta shikonte çdo mëngjes, sepse nuk donte të bëhej si ai.)

Vrapova të blija, me të hollat, një televizor. Gjithë ditën dëgjoja muzikë në MTV. Ajo rriste adrenalinën. Ishin vitet ‘90 dhe muzika, me rënien e mureve, pati një shpërthim të mrekullueshëm. Mbaj mend kur dëgjonim Michael Jackson, na rridhnin lot nga emocioni. Ishte sikur të ngjallej një pjesë e mbytur e shpirtit.

Vitet ‘90 deri në mesin e tyre do të mbahen mend, me gjithë varfërinë, si epoka e eliminimit të frikës, epoka e jetimit të lirë, e iluzionit të hapjes së botës “përjetshëm”.

Kështu dhe kishim iluzionin e fortë të riprezantimit, iluzionin e bërjes vetë të botës dhe mundësisë së vetëpërshkrimit, vetëdizenjimit, të vetes sonë, mjedisit tonë. Paralelisht me pikturat shkrova romanin “Arkitrau”, librin me poezi “Delirium” që u bë bestseller, gjë e rrallë për poezinë kjo. Kadare më tha për Arkitraun që është një prozë shumë interesante, një roman që koha do t’i kthehet.

Në këtë klimë lirie, bisedash drejt bonsensit dhe politikës, “Bar West” ishte si një Lidhje e hapur intelektuale, mund të hyje në çdo orë të ditës dhe të gjeje debat, të njohur, për të vazhduar bisedën në përroin logjik të tendencave, që nuk ishin ende të vetëdijshme se po realizonin funksionin e një ekuacioni të panjohur fare për to. I gjithë Parku Rinia me “Bar Nikolino”, “Dajana”, “Disko Krokodil” e një mori pub-esh e baresh e picerish që nuk i mbaj mend me emra tani, ishte si një Disney Land i një fëmijërie Shqiptare, që e priste një ardhme e panjohur, hibride. Megjithatë të huaj të shumtë vinin ta shihnin këtë Disney e të pinin, hanin, flirtonin, përjetonin, nga një lokal te tjetri, nga mëngjesi deri pas mesnate, në të gdhirë.

Në këtë metaforë gjigande të një poiesisi që do të mbaronte me kontigencën e vitit 1997, u rrit dhe piktura ime, si një zhanër mes të tjerëve, me të cilët punoja.

Besimi më kishte prurë nga Gjermania libra arti, Munch, Van Gog…me dedikime për mua: “Magjistares së madhe të fjalës”.

I pari koleksionist, me dimension i pikturës sime,  ka qenë Fatos Lubonja. Ai mori prej meje fillimisht një kompozim “I fundi i ciklit të kreshnikëve”,  ku kisha pikturuar Edi Ramën pas goditjes së dhunshme…në prelud të 1997-s.

Pastaj Fatosi mori prej meje gradualisht dhe piktura të tjera. Vetëm disa të fundit blerë. Por ai ka një galeri prezantuese të denjë të punëve të mia, nëse do e sillte rasti.

Viti 1997 solli një agravim të botës sime sensitive. Lufta ishte ofeza më e rëndë që mund t’i ndodhë një të linduri dhe rrituri në paqe. Lufta me armë ka qenë dhe mbetet i vetmi turp i jetës sime. Edhe sot e mendoj se, lufta me armë është turpi më i madh i njerëzimit. E vuajta shumë, me vite…tani e vuaj si një enigmë që duhet ta zgjidh, jo thjesht si ofezë.

Ofeza prej luftës, futja në politike e artistëve, për mua asokohe u shfaqën si vdekje metafizike. Mos harrojmë që Shqipëria ishte ende e mbyllur. Njerëzit mbanin radhë për një vizë, në bordurat e ambasadave. Ishte e vetmja botë konsistente ajo e miqve, e dashurive.

Hapja e Shqipërisë me Europën, pra lëvizja e lirë, zhvillimi i Google me gjithë programet e të tjera aplikacione, e shumëfishoi botën, mundësitë e shkollimit, emigrimit dhe bëri të mundur shumëfishimin e njeriut brenda vetes, mund të ishe, të doje, të udhëtoje, të dashuroje, te punoje në shumë vende dhe forma njëherësh.

Përveç shkollimeve jashtë, nisa të pikturoj rrugëve në Europë. Kam pikturuar në Paris në rrugë, në Hagë, në Roterdam, në Amsterdam kam vizatuar, në rrugët e Vjenës.

Kjo krijimtari në lëvizje kishte diçka tjetër: objektin e gjallë, aventurën, motin që të rrethonte dhe të papriturën. Kështu u krijuan disa cikle europiane të vizatimeve të mia dhe pikturës.

Por le të flasim pakëz për ekspozitat e fundit, “Potencë” dhe “Katheksis”. Në vitin 2017, ndërsa po mbaroja postdoktoratën në Paris, punoja njëherësh përveç fakultetit, në gazetën Mapo. Shkrova rreth 50 shkrime për të. Universiteti Europian kishte jo vetëm një rëndësi si shkollë studimi, por e veçanta e tij qëndronte në frymën liberale me tendencë vetëpërshkrimi, riprezantimi, si me thënë një dëshirë dhe vullnet për të treguar dhe bërë njëherësh një botë që është autentike, sepse e jotja.

Por globalizmi ishte si një furtunë rirenduese. Ai u shfaq me Pandeminë,  e cila bëri një provë shumëdimensionale: provë durimi, mbijetimi, nënshtrimi, riconcilimi, deri vazhdimi. Pas kësaj prove u shfaq kriza e madhe e diferencimit me demarkacion, që dhe vazhdon dhe që na evokon kohët e vjetra.

Brenda një spektri dy-trevjeçar që parapriu krizën, MAPO  [UET PRESS] botoi dy vepra të miat të qenësishme, librin me poezi “Lulet e fjetura”,  ose “Libri i lumturisë” dhe romanin “Tutori”.

Shkrimet që kisha shkruar për MAPO, nuk i gjej më online. Po ashtu thuajse asgjë nuk gjej online nga ato rreth 100 emisione “Transkulturë” që realizova në RTSH,  deri para luftës në Ukrainë. Kjo më bëri të besoj se,  në kulturën time asnjëherë nuk kam mundur të prek në formë literale thesarin e saj të vërtetë. Në fillim e mora me dëshpërim, pastaj nuk e vrava më mendjen pasi në kohën tani jetojnë të gjithë.

Befas, Henri Çili, një djalë që mendon dhe vepron, më propozoi të hapja një ekspozitë në Universitetin Europian të Tiranës për studentët e shkencës së arteve vizive. Kjo ftesë ishte për mua një festë, pas izolimit pandemik.

Gjatë pandemisë pikturova shumë, por ato piktura të asaj periudhe i shfaqa në “Kalo Galeri”, ekspozitë e dytë kjo brenda disa muajsh, të cilën ma kuroi vetë Përparim Kalo. E quajta “Kathexis”.

Por le të kthehemi tek ekspozita “|Potencë”, pikërisht ajo që u hap në Universitetin Europian të Tiranës. Kisha aty disa personazhe, duke përfshirë dhe veten, Edin, Fatosin, Henrin, etj. Variablat e personaliteteve të tyre kishin pësuar ngritje-ulje, përgjatë zhvillimit social. Këto ndryshime rrisnin, ose zvogëlonin impaktin dhe funksionin që vetë ata, si procesorë, kishin në shoqërinë tonë e më gjerë. Kështu dhe vendosa ta quaj “Potencë”, ekspozitën. Dhe shkrova për të: “Një ekspozitë: Potencë, UET.

Nga përshtypja, ndjenja, krijimi – deri te Salloni i Artit, është një rrugëtim i gjatë…i mrekullueshëm…

Nga pamundësia, mundësia deri te pushteti, shpirti riprodhon veten në funksion të  një shënimi që ende nuk mund të  themi se e njohim plotësisht. Kontigenca e tij është habia dhe dhimbja! Kjo është rruga e njohjes sonë!

Kultura jonë është e principit të përsosmërisë. Sublimimi dhe heroikja ende mbeten stimujt e saj. Megjithatë ajo po anohet edhe drejt kulturave të harmonisë, me mjedisin, elektromagnetizmin qiellor dhe sensin e pranimit të anës tjetër të Hënës. Pra, tjetrit.

Shumë vizatime të ciklit Europian i botova ndërkohë bashkë me tregimet e mia, tepër moderne, në përmbledhjen “Tregimet e Civilizimit”, botimet “Albas”. Ky libër, tekst e vizatim, është tepër origjinal. Ai u shkrua dhe u  botua në kushtet e një hakerimi intensiv, që vazhdon edhe sot, element me të cilin jam ambientuar dhe e vlerësoj si pykë  ndërtuese, edhe të veprës sime.

* Artikulli i marrë nga Revista Liberale

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular