Këshilli i Ministrave ka miratuar Skemën Kombëtare të Mbështetjes për vitin 2026, me një buxhet fillestar prej 5.2 miliardë lekësh, e cila synon forcimin e sektorit bujqësor përmes zgjerimit të numrit të përfituesve dhe përafrimit gradual të tij me standardet e Bashkimit Evropian.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, gjatë një konference për mediat bëri të ditur se skema është hartuar pas një procesi të gjerë konsultimesh me fermerët në të gjithë vendin, përmes më shumë se 23 takimeve me përfaqësues të sektorit në të gjitha qarqet, duke reflektuar nevojat konkrete dhe orientimin drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe konkurrues.
Një nga risitë kryesore është mbështetja e plotë për të gjitha aplikimet fituese për projekte investimi, që përfshijnë serrat, pemtarinë dhe vreshtarinë, stallat, mekanikën bujqësore, linjat e përpunimit, akuakulturën detare dhe agroturizmin. Gjithashtu, do të hapet një thirrje e re për investime, ku parashikohen grante prej 10 mijë eurosh për fermerët e rinj, 3 milionë lekë për ndërtimin e staneve dhe 500 mijë lekë për pajisje dhe makineri bujqësore.
Blegtoria mbetet prioritet i skemës, me rritje të mbështetjes për krerët e gjedhit në 12 mijë lekë për krerë, për të imtat në 1,500 lekë për krere dhe dyfishim të mbështetjes për bletarinë në 2 mijë lekë për koshere. Për herë të parë, parashikohet mbështetje prej 7 mijë lekësh për çdo dosë në sektorin e rritjes së derrit. Njëkohësisht, përgjysmohen pragjet e përfitimit, duke përfshirë edhe fermat më të vogla.
Skema parashikon gjithashtu rritjen e mbështetjes deri në 70% të kostos për kontrollin biologjik të dëmtuesve në serra, si dhe mbështetje për subjektet e rritjes së peshkut në ujërat e brendshme me 200 mijë lekë për blerjen e rasatit.
Në funksion të përafrimit me praktikat e Bashkimit Evropian, skema përfshin per herë të parë pagesa direkte për sipërfaqe të mbjella, ku fermat mbi 3 hektarë përfitojnë 10 mijë lekë për çdo hektar. Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor do të vijojnë të mbështeten në masën 100% të përfitimit, ndërsa mbështetja për prodhimin organik dhe certifikimin GLOBAL GAP mbetet pjesë e skemës.
Sipas ministrit Salla, këto masa synojnë të rrisin investimet, prodhimin dhe formalizimin e sektorit, duke e afruar bujqësinë shqiptare me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian, në funksion të procesit të integrimit.







