Botërori për Italinë ishte dhe mbetet një iluzion i madh, i kthyer tashmë në një makth për çdo tifoz “azzurr”. E besoni apo jo, por Italia, 4 herë fituesit e Botërorit, e shohin sërish veten jashtë turneut më të rëndësishëm. Për herë të tretë radhazi, Italia do të ndjek Botërorin nga divani, një fund jashtëzakonisht i hidhur që konfirmon edhe një herë se Italia jo vetëm që nuk është më protagoniste, nuk është më pjesë e elitës, por është një përfaqësuese, një futboll totalisht në krizë. Festuan gjatë për faktin që në finalen e “play-off” do të kishin përballë Bosnje Hercegovinën, por për ironi të fatin, Bosnja i lë në shtëpi, me përfaqësuesen e vogël ballkanase që siguron një biletë për në Botërorin “FIFA2026”. Nuk ka asnjë efekt as bashkimi i legjendave, atyre që e dinë si fitohet një Botëror, me Gattuso, Buffon, Bonucci etj, që këtë herë në rolin e trajnerëve dhe stafi drejtues përjetojnë një nga zhgënjimet më të mëdha në karrierë.
Në “ferrin” e Zenica-s, Italia e gjeti veten menjëherë në avantazh, ku në minutën e 15-të, Kean përfitoi nga një gafë e portierit të Bosnjes dhe me një finalizim spektakolar kaloi Italinë në avantazh. Për të ndërlikuar këtë finale për Italinë mendoi njeriu me i kontestuar i momentit, Bastoni, me qendërmbrojtësin “azzurr” që ndërhyri në mënyrë të gabuar duke u ndëshkuar drejtpërdrejtë me karton të kuq.
Pavarësisht se me një lojtar më pak, me fillimin e pjesës së dytë, Kean kishte shansin të realizonte golin e dytë, ku me një zbritje të shpejt në sulm e dërgoi topin pak mbi traversë. Nga ky moment, Italia u përpoq të mbronte rezultatin, por Tabakovic, i sapo hedhur në fushë, në minutën e 79-të dërgoi topin në rrjetë duke bërë që stadiumi të shpërthente në festë. Në shifrat 1-1, fati i kësaj finaleje shkoi në shtesë, aty ku sërish Bosnja ishte superiore, por rezultati mbeti i pandryshuar duke bërë që bileta për në Botëror te kalonte nga ruleta e penalltive. Në këtë pikë Bosnja ishte perfekte, duke realizuar 4 nga 4 penallti, ndërsa për Italinë gabuan Pio Esposito dhe Cristante duke bërë që “azzurrët” të përjetojë një tjetër mbrëmje të errët, një eliminim shumë i hidhur që u përjetuan si një dramë në Itali:
“Të gjithë në shtëpi. Italia pa Botëror për të tretën herë radhazi”, shkruan La Gazzetta dello Sport. “Të gjithë në shtëpi. Dështimi i tretë”, ishte titulli i përzgjedhur nga Corriere dello Sport. “Ikni të gjithë. Bosnje feston me penallti. Italia jashtë Botërorit për herë të tretë radhazi”, ishte titulli i përzgjedhur nga TuttoSport.










