Trupat e 19 personave janë gjetur në një gomone në jug të ishullit Lampedusa nga roja bregdetare italiane dhe 7 të tjerë në gjendje kritike, përfshirë edhe dy fëmijë.
Lajmi u bë me dije një zëdhënës i Rojes Bregdetare, Roberto D’Arrigo, për AFP-në, i cili gjithashtu zbuloi se 58 persona të tjerë, mes të cilëve pesë fëmijë, u gjetën të gjallë gjatë operacionit të shpëtimit të zhvilluar në orët e para të së mërkurës dhe u transportuan në Lampedusa nga roja bregdetare.
Kryetari i bashkisë së Lampedusa, Filippo Mannino, tha se shtatë persona, mes të cilëve dy fëmijë, po trajtohen në spital për “hipotermi dhe helmim nga avujt e hidrokarbureve.”
Operacioni i shpëtimit u zhvillua rreth 85 milje larg ishullit italian, brenda ujërave të kërkim-shpëtimit të Libisë.
D’Arrigo tha se gomonia u pikas nga një avion zbulues italian të martën, por nuk kishte anije të rojës bregdetare libiane apo civile në zonë për të ndihmuar.
Më pas u mor vendimi për të dërguar një anije të rojës bregdetare italiane nga Lampedusa. Sipas zëdhënësit, disa nga personat mund të kenë vdekur gjatë transportimit drejt ishullit Lampedusa në kushte veçanërisht të vështira të motit, me dallgë deri në shtatë metra lartësi.
Lampedusa është një pikë kryesore zbarkimi për njerëzit që kalojnë Detin Mesdhe nga Afrika e Veriut. Shumë njerëz humbin jetën gjatë këtij udhëtimi të rrezikshëm.
Deri tani këtë vit, 624 persona kanë vdekur ose janë shpallur të zhdukur në Mesdheun qendror, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin të OKB-së.
Katastrofa e fundit humanitare në Lampedusa ndodhi në gusht, kur 27 persona humbën jetën në dy mbytje anijesh pranë bregut. Sipas ministrisë së brendshme, 6 mijë e 117 migrantë kanë zbarkuar në brigjet e Italisë deri tani këtë vit.







