Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë organizoi me sukses një aktivitet të rëndësishëm me fokus forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërkombëtar dhe nxitjen e investimeve, duke mbledhur përfaqësues të biznesit vendas.
Aktiviteti u hap me fjalët përshëndetëse nga Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, z. Nikolin Jaka, i cili theksoi rëndësinë e krijimit të urave të qëndrueshme të bashkëpunimit midis bizneseve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare, si një mundësi konkrete për zhvillim ekonomik dhe rritje të investimeve.
Në vijim, z. Dritan Mishto, konsulent për tregje dhe investime, paraqiti një analizë të përmbledhur mbi mundësitë dhe sfidat që hasin bizneset shqiptare në tregun amerikan.
Në kuadër të këtij aktiviteti u prezantua tema: “Dialog Strategjik Investimesh ndërmjet Bizneseve Shqiptare/Rajonale dhe Bizneseve Amerikane – ‘Këshilli Shqiptaro-Amerikan i Investimeve’: Nga Vizion në Zbatim”.
Gjatë sesionit u trajtuan nga avokati z. Altin Nonaj, në mënyrë të detajuar aspektet ligjore, financiare dhe operacionale për investimet në SHBA, duke përfshirë politikat aktuale rregullatore, kërkesat për kapital, format e krijimit të bizneseve të reja, partneritetet strategjike, si dhe çështjet tatimore në nivel federal dhe shtetëror. Një vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu praktikave më të mira për një prani të suksesshme afatgjatë në tregun amerikan.Avokati z. Altin Nonaj gjatë prezantimit
Pjesëmarrësit u njohën edhe me mundësitë që ofron sistemi i emigracionit për investitorët dhe drejtuesit e bizneseve, si dhe për familjet e tyre, duke e parë këtë si një element të rëndësishëm në procesin e ndërkombëtarizimit të aktiviteteve ekonomike.
Ky aktivitet konfirmon angazhimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë për të mbështetur bizneset shqiptare në zgjerimin e tyre drejt tregjeve ndërkombëtare dhe për të krijuar platforma konkrete bashkëpunimi me partnerë strategjikë, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Foto nga aktiviteti







