Të tjera detaje janë mësuar nga ngjarja e rëndë që ka ndodhur pasditen e kësaj të premteje në Kamëz, ku një grua mbeti e plagosur me armë.
Policia e kryeqytetit ka bërë me dije se ka shoqëruar një 73-vjeçar, i cili akuzohet se ka qëlluar aksidentalisht një 30-vjeçare me armë.
Ndonëse në fillim u raportua se ishte gruaja e tij, në fakt policia bën me dije se e plagosura me inicialet E.L ishte një 30-vjeçare e cila po qëndronte në oborrin e banesës së xhaxhait të saj, në Laknas, në momentin kur ndodhi ngjarja.
“Si rezultat i veprimeve hetimore është bërë identifikimi dhe shoqërimi në Komisariat i shtetasit N. Sh., rreth 73 vjeç, banues në Laknas, për veprime të metejshme proceduriale. Paraprakisht dyshohet se 73-vjeçari ka qëlluar me armë gjahu me qëllim për të larguar një kafshë dhe për pasojë një saçmë gjahu ka dëmtuar në faqe shtetasen E. L, e cila po qëndronte në oborrin e banesës së xhaxhait të saj, në Laknas.”, sqarojnë uniformat blu.
30-vjeçarja pas marrjes së mjekimit është rikthyer në banesë.







