Rojet e Gardës Revolucionare të Iranit njoftuan se kanë shënjestruar një anije luftarake amerikane, duke pretenduar se sulmi ka detyruar mjetin detar të tërhiqet më larg nga zona e operacioneve.
Sipas një deklarate të transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve Fars, objektiv ka qenë USS Tripoli, një anije amfibe sulmuese e tipit LHA-7.
Pala iraniane pretendon se sulmi është kryer me “raketa me shpejtësi rrufe”, të cilat, sipas të njëjtës deklaratë, e detyruan anijen të tërhiqet më thellë drejt Oqeanit Indian jugor.
Megjithatë, nuk janë dhënë detaje mbi kohën apo vendndodhjen e saktë të incidentit.
Kujtojmë se Komanda Qendrore e SHBA-së (US Central Command) kishte njoftuar se USS Tripoli, e cila transporton rreth 3.500 efektivë si dhe avionë transporti dhe luftarakë, mbërriti në Lindjen e Mesme më 27 mars, duke forcuar praninë ushtarake amerikane në rajon.
Deri më tani, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Shtetet e Bashkuara lidhur me pretendimin e Iranit për një sulm ndaj kësaj anijeje luftarake.







